AKB kërkon ri-themelimin e Bordit të Pavarur për Rishqyrtime të Ankesave – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

AKB kërkon ri-themelimin e Bordit të Pavarur për Rishqyrtime të Ankesave

14:37 | 21 Qershor 2018

Aleanca Kosovare e Bizneseve, sot në konferencën për media prezantoi shqetësimet e komunitetit të Biznesit lidhur me mos funksionalizimin e Bordit të Pavarur për Rishqyrtime të paraqitura në 14 arsyetime të cilat sqarojnë dëmet dhe padrejtësitë që komuniteti i bizneseve po i përjetojnë që nga viti 2013 e këndej.

Agim Shahini – Kryetar i AKB-së tha se bazuar në kontaktet e përditshme me pronaret e bizneseve të cilët në vazhdimësi shprehin dhe paraqesin vërejtjet e tyre në efikasitetin dhe profesionalizmin e Divizionit Fiskal pranë Gjykatës Themelore, si dhe të Gjykatës së Apelit, si dhe bazuar në kërkesën e vazhdueshme për kthimin e mandatit ligjor të ish Bordit të Pavarur për Rishqyrtime, i cili si organ administrativ i shkallës së dytë është marrë me shqyrtimin dhe vendosjen e ankesave kundër vendimeve të ATK-së dhe të DK që janë parashtruara deri me 30 nëntor 2012, AKB-ja që nga viti 2015 duke mbetur besnike kërkesave të komunitetit të bizneseve ka parashtruar disa herë kërkesë zyrtare institucioneve relevante të Kosovës për ri-themelimin e këtij Bordi.

Duke parë neglizhencën dhe hezitimin e vazhduar të institucioneve vendimmarrëse për inicimin e procedurës ligjore për ri-themelimin e këtij Bordi, me arsyetim se kundër është Komisioni Evropian, AKB-ja si rezultat i presionit të komunitetit të biznesit Kosovar rifreskon kërkesën drejtuar këtyre institucioneve për domosdoshmërinë e ri-themelimit të ish BPR-së. Z. Shahini potencoi se Qeveria ta plotësoj të drejtën parimore të bizneseve të garantuara me Kushtetutë dhe mungesa e sigurisë juridike po i frikëson investitorët vendor dhe të huaj, kurse Qeveria duhet ta plotësoj këtë të drejtë të mohuar padrejtësisht për komunitetin e Biznesit.

Lumnije Ajdini- Menaxhere e AKB-së prezantoi 14 pikat që arsyeton kërkesën e drejtë të komunitetit të biznesit për rithemelim të Bordit të Pavarur për Rishqyrtime :

Fakti se para shuarjes së BPR-së si mjete të rregullta ankimore kanë ekzistuar dy shkallë të shqyrtimit administrativ deri më 30 nëntor 2012, në shkallë të parë si kërkesë për rishqyrtim brenda organit që ka nxjerrë aktin administrativ (në rastin konkret brenda ATK-së dhe DK) dhe në shkalë të dytë si ankesë drejtuar organit ma të lartë siç ishte BPR-ja, si dhe nga 01 janari 2011 dy shkallë gjyqësore brenda Gjykatës Supreme të Kosovës, në mënyrë që pas transformimit të sistemit gjyqësor këto përgjegjësi të Gjykatës Supreme nga 1 janari 2013 të kalojnë në Gjykatë Themelore-Departamenti Administrativ-Divizion Fiskal si shkallë e parë dhe në Gjykatë të Apelit si shkallë e dytë, është argument i pakontestueshëm se ri-themelimi i Bordit nuk paraqet shkelje ligjore, por plotësim i një të drejte parimore të garantuar me kushtetute dhe ligj.

Bizneset me zgjidhje të këtilla ligjore të shuarjes së Bordit dhe zëvendësimin e dy shkallëve të procedurave gjyqësore nga Gjykata Supreme në Gjykatë Themelore-Divizion Fiskal dhe në Gjykatë të Apelit, vetëm kanë humbur një organ administrativ të shkallës së dytë që përmes ankesës kanë realizuar një të drejtë para procedurave gjyqësore. Nisur nga fakti së para shuarjes se Bordit, kanë ekzistuar dy shkallë të shqyrtimit gjyqësor pranë Gjykatës Supreme të Kosovës, ku lëndët e natyrës fiskale bazuar në përvojën shumëvjeçare të gjyqtarëve janë trajtuar dhe vendosur shumë ma shpejtë dhe me një kompetencë shumë ma profesionale se sa sot që ato trajtohen nga Divizioni Fiskal dhe Gjykata e Apelit, fakton se bizneset me shuarjen e Bordit nuk kanë përfituar asgjë në kuptimin e efikasitetit dhe profesionalizmit në trajtimin e ankesave të tyre.

Nuk është i drejtë formulimi ligjor në nenin 8 të Ligjit Nr.04/L-102 lidhur me nenin 81.A 1 të ligjit bazik Nr.03/L-222, ku thuhet:” Duke filluar nga 1 janari 2013, Divizion Fiskal, merr përgjegjësitë e Bordit të Pavarur për Rishqyrtime, …”, sepse përgjegjësitë e një organi administrativ nuk mund të kalojnë në organ gjyqësor, por thjeshtë është shuar vetëm një hallke ankimore në procedurë administrative. Divizionit Fiskal i merr përgjegjësitë dhe zëvendëson shkallën e parë të Gjykatës Supreme e jo të Bordit siç pretendohet, kurse shkallën e dytë të Supremes e zëvendëson Gjykata e Apelit, si mjete të rregullta juridike. Në shkallë të parë të Gjykatës Supreme të Kosovës ka vendosur kolegji prej 3 gjyqtareve në seancë të hapur, dhe në shkallë të dytë në bazë të ankesës ka vendosur kolegji prej 5 gjyqtareve të Supremes. Ndërsa nga viti 2013, në shkallë të parë në Divizionin Fiskal vendos vetëm një gjyqtar në seancë të hapur, dhe në Gjykatë të Apelit si shkallë e dytë vendos kolegji prej 3 gjyqtareve, që dëshmon për një transparencë ma të theksuar të vendimmarrjes në të kaluarën.

Gjyqtari për vendimmarrje në Divizionin Fiskal kryesisht bazohet në mendimin e ekspertit të pavarur i angazhuar nga gjykata në kundërshtim me nenin 8.3 të Ligjit Nr.04/L-102, për faktin se ky nen ka paraparë angazhimin e bashkëpunëtoreve profesional në cilësi të ekspertëve që janë në marrëdhënie punë në gjykatë e jo eksperte të cilësuar si të pavarur. Në kundërshtim me dispozitën e cituar, është krijuar mekanizmi i kontaktit me tatimpaguesin përmes ekspertëve të pavarur, të cilët për mendimin e tyre ne emër të ekspertizës paguhen nga tatimpaguesi dhe vizitojnë selitë e bizneseve në vend që ekspertiza e tyre të bazohet vetëm në provat nga shkresat e lëndës të dosjes që gjendet në gjykatë, meqë sipas nenit 14.8 të Ligjit Nr.03/L-222, nuk lejohet dhe nuk pranohet për shqyrtim asnjë prove shtese në procedim të mëtutjeshëm ankimor pas dorëzimit të Raportit Përfundimtar të Kontrollit. Kjo krijon mundësi reale që ekspertizat të jenë të njëanshme sipas porosisë së bizneseve ku ekspertet nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për shprehjen e mendimit të tyre si konkluzion, edhe tërë përgjegjësia bie mbi gjyqtarin i cili nuk i kupon kalkulimet e bëra sipas ekspertizës. Ndërsa në Bord sipas sistemit të rotacionit ka vendosur paneli në seancë dëgjimore në përbërje prej tre (3) anëtareve bazuar vetëm në provat nga shkresat e lëndës në dosje, edhe kështu në asnjë variant paneli i Bordit apo kolegji i Gjykatës Supreme, nuk ka mundur të këtë paraprakisht çfarëdo kontakti me tatimpaguesin, siç ndodhë ajo sot në Divizionin Fiskal.
BPR-ja për periudhën 2013-2014, ka shqyrtuar dhe vendosur 1.835 ankesa, ndërsa për periudhën e njëjtë Divizioni Fiskal ka trajtuar më pak se 60 padi administrative, gjë që dëshmon se BPR-ja ishte shumë më funksionale dhe efikase në trajtimin e ankesave.

Aktvendimi përfundimtar i BPR-së ka qenë detyrues për palët derisa ai nuk ndryshohet ose anulohet nga gjykata kompetente (neni 79.5 i Ligjit Nr.03/L-222). Ndërsa sot aktgjykimi i formës së prerë i Divizionit Fiskal, nuk është i ekzekutueshëm përderisa i njëjti nuk bëhet i plotfuqishëm (neni 66 i Ligjit Nr.03/L-202). Prandaj dhe në varianti kur do të supozohej për një efikasitet të njëjtë të ish Bordit dhe Divizionit Fiskal në shqyrtimin e lëndëve ankimore, tatimpaguesi që ka marr një vendim të favorshëm, ka realizuar shumë ma shpejt të drejtën e tij në Bord se sa sot që e realizon në Divizion Fiskal, meqë aktgjykimi mund të kontestohet me ankesë që e bënë atë të mos jetë i ekzekutueshëm në krahasim me aktvendimin përfundimtar të Bordit që ka qenë i ekzekutueshëm dhe detyrues pa marrë parasysh kontestimin e tij në Gjykatë.

Nëse merren parasysh fakti se në periudhën 2009-2012 nga totali prej 3.200 ankesave të parashtruara e të vendosura nga BPR-ja, prej të cilit numër diku 2.500 janë aktvendime të formës së prerë, ku përafërsisht vetëm rreth 600-700 aktvendime të Bordit janë kundërshtuar në Gjykatë Supreme dhe atë të Apelit, ku palët janë pajtuar me vendimet e këtij organi meqë nuk kanë gjetur hapësirë për kontestimin e tyre, duke rezultuar me shkurtimin e procedurave juridike dhe shkarkimin e punës së gjykatave, që në rrethanat e sotme të efikasitetit të punës së gjykatave, ri-themelimi i shkallës së dytë administrative imponohet si domosdoshmëri.

Nëse sot një tatimpagues në Divizionin Fiskal duhet të pret 2 deri 3 vite që t’i trajtohet padia e tij kundër vendimeve të ATK-së apo DK, e i cili aktgjykim nuk është i ekzekutueshëm derisa nuk bëhet i plotfuqishëm, edhe kur kësaj i shtohet plus koha me vite derisa të vendosë Gjykata e Apelit mbi bazën e ankesës, atëherë për ta realizuar të drejtën e vet një tatimpagues sot duhet të pres prej 4 deri 6 vite, por nëse e njëjta lëndë nga Gjykata e Apelit kthehet në rigjykim Divizionit Fiskal, mund të kalojnë 8 deri10 vite deri sa të përfundon një kontest në gjykata. Ky fakt po i frikëson investitorët potencial nga jashtë për të investuar në Kosovë për shkak mungesës së sigurisë juridike. Po ashtu në mungesë të një sigurie juridike bazuar në përvojën e vendimmarrjes brenda institucionit të ATK-së dhe DK, si dhe të kohës se vendosjes nga ana e gjykatave deri sa të behet një vendim i ekzekutueshëm shumë biznese hezitojnë për të kundërshtuar vendimet e këtyre dy institucioneve.

Kërkesën e komunitetit të biznesit për ri-themelimin e BPR-së duhet kuptuar edhe si konfirmim i punës profesionale dhe besimit të krijuar në ndarjen e drejtësisë, puna profesionale dhe ligjore e të cilit organ është vlerësuar dhe nga ekspertet e Komisionit Evropian në raportet e tyre gjatë monitorimit tre vjeçar të seancave dëgjimore dhe të vendimmarrjes.

Një arsye me tepër për ri-themelimin e ish Bordit, qëndron dhe në argumentin tjetër shumë të rëndësishëm, se pas përfundimit të mandatit të BPR-së, për lëndët e ankimuara nuk ka pasur një autoritet ligjor për ta përfaqësuar ish Bordin si palë e paditur në seanca dëgjimore në Gjykatën e Apelit, të cilat seanca janë të obligueshme të mbahen sipas nenit 8 të Ligjit Nr. 04/L-102 dhe nenit 38 të Ligjit 03/L-202, për çka të gjitha aktgjykimet e nxjerra nga Gjykata e Apelit janë të paligjshme në shkelje flagrante të procedurave dhe të drejtës materiale, ku dhe në kohen kur ka funksionuar Bordi si pale e paditur nuk është ftuar në seanca dëgjimore nga Gjykata e Apelit. Nga ana tjetër, është bllokuar puna e kësaj gjykatë në mungesë të mandatit ligjor të pjesëmarrjes së personit të autorizuar në seanca nga ana e Bordit, pasi që Gjykata Supreme rastet e kontestuara përmes kërkesës për shqyrtim të jashtëzakonshëm është duke i anuluar të gjitha aktgjykimet e Gjykatës së Apelit, për shkak mos mbajtjes së seancave dëgjimore duke e obliguar që në rigjykim të mbaj seancë të hapur. Me ri-themelimin e Bordit, përfundimisht do të zgjidhej dhe ky problem, meqë një autoritet tjetër nuk mund ta zëvendësoj atë për të marr pjesë ne seanca dëgjimore.

Nëse synimi i ligjdhënësit ka qenë shkurtimi i hallkave ankimore me qëllim përshpejtimit të procedurave të marrjes së vendimeve, marrja e vendimit për shuarjen e Bordit ka qenë dhe po vërtetohet se ishte një gabim i madh, sepse është marrë pa mendimin e komunitetin e biznesit i cili ka pasur një adrese të një institucioni të cilit i ka besuar në ndarjen e drejtësisë, e që me vendimet e tij ka arritur të disiplinoj si institucionet ashtu dhe bizneset. Në këtë drejtim shume ma e arsyeshme dhe ma e drejtë ka qenë shuarja eventuale e Departamentit të Ankesave të ATK dhe të Sektorit për Rishqyrtimin e Vendimeve të DK, që janë kot dhe ato vetëm shërbejnë si servise për të mbuluar vlerësimet e institucionit të tyre, duke ditur se kemi të bëjmë me organet brenda të njëjtës shtëpie që nuk marrin vendime kundër vetës.

Numri i madh i ankesave të grumbulluara në gjykatë që presin të shqyrtohen, si dhe trendi me i lartë i numrit të parashtrimit të ankesave se sa mundësitë reale për dhënien e përgjigjeve, është indikacion i qartë dhe sinjal alarmues se do të kalojnë vite e vite deri sa të përfundojnë kontestet e iniciuara, ku lëndët e pazgjidhura dhe mos marrja e përgjigjeve brenda afatit ligjor paraqesin shkelje serioze të parimeve të përcaktuara nga Konventa Evropiane për të drejtat e njeriut dhe të Kushtetutës së Kosovës.

Në kuadër të modaliteteve të mundshme të organit administrativ të shkallës së dytë, për shkak urgjencës të situatës si zgjidhje më racionale dhe më e arsyeshme do të ishte ri-themelimi i BPR-së sipas statusit para shuarjes brenda kornizave të Ligjit Nr.03/L-222. Ri-themelimi i BPR-së nuk paraqet asnjë pengese nga pikëpamja ligjore, sepse kjo nuk nënkupton as dualizëm në kompetenca e as shuarje të Divizionit Fiskal, sikurse nuk nënkupton as ndryshime në Ligjin për Gjykatat. I vetmi ndryshim do të ishte që me një nen të veçantë të parashihej që konflikti administrativ në vend që të iniciohet në Divizion Fiskal kundër vendimeve të shkallës së parë të ATK-së dhe Doganës së Kosovës, siç është tani do të ishte kundër vendimit përfundimtar të BPR-së si shkallë e dytë, duke bërë njëkohësisht shfuqizimin e neneve përkatëse të Ligjit Nr.04/L-102, Ligjit Nr. 04/L-099 dhe Ligjit Nr.04/L-223, që kanë të bëjnë për shuarjen e BPR-së.

Mos veprimi në ketë drejtim i institucioneve përgjegjëse apo çfarëdo zgjidhje të modalitetit tjetër të një organi administrativ të shkallës së dytë i cili do të kërkojë një kohe shume ma të gjatë të ndjekjes së procedurave deri të funksionalizimi, e nga ana tjetër çdo vonese në shqyrtimin e ankesave në gjykata do të reflektoje në rritje të pakënaqësive të bizneseve me efekte negative për ambientin e bërjes biznes dhe largim të investitorëve të jashtëm për të investuar në Kosovë.

Ndërsa Suat Berisha, Nënkryetar i AKB-se prezantoi raportin e Komisionit Evropian ku e kanë vlerësuar punën e Bordit të Pavarur për Rishqyrtime si efikas, të paanshëm dhe profesionalë. Ai potencoi se nga koha kur ky Bord nuk është funksional ATK dhe Dogana e Kosovës kanë rrit shkallën e padrejtësisë ndaj bizneseve dhe Bizneset nuk kanë ku të ankohen sepse e vetmja e drejtë e tyre për ankimim në shkallën e parë është ATK- Dogana e Kosovës dhe në Departamentin Fiskal- Gjykatën Themelore ku këto lëndë presin trajtim me vite të tëra.

AKB ju ka drejtuar kërkesë zyrtare Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës për të plotësuar këtë të drejtë për Ri-themelimin e Bordit të Pavarur për Rishqyrtime.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!