Bie nga sistemi blloku A4, pjesë të ndryshme të Kosovës mbesin pa energji elektrike – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Bie nga sistemi blloku A4, pjesë të ndryshme të Kosovës mbesin pa energji elektrike

16:49 | 08 Janar 2017
termocentrale-kosove

Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm është ndalur njësia A4 e Termocentralit Kosova A të KEK-ut. Kjo ndalesë e paplanifikuar ka shkaktuar mungesa të energjisë elektrike.

Përmes një komunikate për media, KEDS/KESCO bën me dije se është duke importuar mbi 200 megavatë/orë, aq sa ishin bërë kalkulimet për ta mbuluar diferencën në mes të konsumit të pritur dhe prodhimit të planifikuar.

“Por, devijimi nga plani i prodhimit ka bërë që të jetë i pamundur furnizimi pa ndërprerje për të gjithë konsumatorët, pasi kërkesa është shumë e lartë”, theksohet në njoftim.

KEDS/KESCO thotë të ketë nisur menjëherë kërkesën në rajon për import shtesë, “por fatkeqësisht nuk ka energji elektrike në dispozicion për shkak të rritjes së kërkesës dhe pushimeve festive për pjesën më të madhe të rajonit”.

“KEK është duke bërë përpjekje që ta rikthejë këtë njësi në prodhim dhe ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me ta. Por, deri në atë kohë, si pasojë e mungesës së energjisë së disponueshme në rajon për import, për shkak të rritjes së kërkesës, konsumatorët mund të ballafaqohen me reduktime”, shton KEDS në njoftim.

Në këtë situatë, KEDS/KESCO kërkon mirëkuptimin e konsumatorëve të afektuar nga reduktimet eventuale.

“Njëkohësisht, kur këto ditë kemi një konsum rekord që është parë ndonjëherë, u bëjmë thirrje konsumatorëve që të shfrytëzojnë mjete alternative për ngrohje sepse edhe konsumi i stërngarkuar e vështirëson funksionimin normal të rrjetit, sidomos në ato pjesë ku KEDS nuk ka arritur ende të shtrijë investimet”, përfundon KEDS.

Hapsira Reklamuese.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!

Loading...
Lajme të tjera