Ditë zie për Kosovën – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Ditë zie për Kosovën

Shkruar nga: Labinotë Demi

10:55 | 07 Dhjetor 2016
labinote-demi

Pas shokimit që morëm me rezultatet nga PISA, një balans i punës dhe përkushtimit tonë ditor është i domosdoshëm. Si nënë e një nxënësi në klasë të parë, si një mësimdhënëse e mundshme që kurrë nuk mu dha rasti të punoj, ndjehem e turpëruar aq sa ndihet sot çdo individ dhe institucion përgjegjës për këtë dështim.

Zaten, kjo edhe nuk ka qenë krejt e papritur. Nuk ka pasur pakënaqësi më të shprehura e fakte për dështime sikur në arsim. E sot botërisht u kuptua se ato vërejtje e tentativa të formave të ndryshme për të përmirësuar gjendjen sadopak, kanë hasur gjithmonë në vesh të shurdhër.

Arsimi, buka e uji i një kombi, shpirti e jeta e një shoqërie, u la pas dore në mënyrën më “formale” të mundshme. Duke qenë e përzier politika deri në palcën e këtij sektori, arsimi u ngrit vetëm në ngritjen e godinave të reja (shumë të nevojshme për ne), ndërkaq cilësia dhe angazhimi për rritjen e saj sikur u mjaftua me kaq. Çdo objekt premtonte vende të reja pune, ani se ndonjëherë ato objekte nuk arritën as të shfrytëzoheshin. Por lagjeja e fshati hijeshoheshin me shkollën e re, vendet e punës premtoheshin, e votat pastaj në konton e partisë, varësisht se cila parti e kishte pushtetin në komunën përkatëse ose udhëheqjen e ministrisë në nivelin qëndror.

Sigurisht, ka përjashtime dhe nuk janë të gjithë mësimdhënësit njësoj. Kam familjarë e miq shumë të përkushtuar për punën dhe profesionin e tyre, edhe në fshatrat e thella të Karadakut por edhe në ato fshatra që nuk i kanë as rrugët e asfaltuara në malësinë e Novobërdës. Por dhimbja jonë është shkaktuar dhe dështimi ka arritur me sistem joadekuat e cilësi të rrejshme të përkthyer në nota të larta për “hatër e keqardhje”.

Kemi parë shumë video të ekspozuara kur mësimdhënësit godasin fëmijtë me shuplaka e me shqelma, kemi parë edhe fëmijë duke bartur pijet alkoolike për festat e mësimdhënësve në objekte shkollore, madje edhe mësimdhënës të dehur bashk me nxënësit e tyre në ekskursionet që i kemi gjithmonë me bollëk. Dhe jo vetëm kaq. Kemi edhe bandën “Kikirikat”, të cilët problemet shoqërore i regullojnë me armë të ftohta e kërcënime të forta. A nuk është ky degradim i skajshëm?!

Ju kujtohet, një ish ministër i arsimit pati deklaruar se në shkollat tona ka mësimdhënës edhe me probleme mendore, nje tjetër pati thënë se një nga sukseset e mia të arritura është heqja e shamisë nga shkollat, dhe së fundmi kur një mësimdhënëse e kualifikuar u pranua në punë pas pesë intervistave radhazi, banorët e atij fshati “protestuan” kundër cilësisë, duke marrë si pretekst veshjen e mësueses. Dhe prap, asnjë deklarim nga ministri ose ministria e arsimit për mbështetjen e zonjës së kualifikuar dhe mbrojtjen e të drejtave të saj të lirisë e të punësimit. Prap po them, jemi mashtruar me “cilësi formale”, e për atë përmbajtësore flasim në të ardhmen.

Por një shpresë e kemi. Kurdo që garohet për pushime të shumta e ditë të lira, festa e shenime të ndryshme gjatë kohës së procesit mësimor, do të jemi të parët me siguri. Bile, edhe për ekskursione, mbrëmje e parambrëmje, semimatura e parasemimatura, as aty nuk leshojmë pe për “cilësi”.

Dhe çudi! Nuk dëgjova se sot do të protestojnë burrat e Drenocit!

Hapsira Reklamuese.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!

Loading...
Lajme të tjera