E dua Jezusin, e dua Muhamedin, e dua Paqen – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

E dua Jezusin, e dua Muhamedin, e dua Paqen

Shkruar nga: Gazmend Aga

12:57 | 24 Dhjetor 2016
gazmend

Nënkryetar i Komunitetit Mysliman në Shqipëri, Gazmend Aga, me rastin e krishtlindjes, ka thënë se Për një vend të vogël si i yni, harmonia ndërfetare mbetet një aset i rëndësishëm i paqes sociale në Shqipëri.

Aga në një urimin e tij ka shkruar se nuk është e vështirë të imagjinohen Jezusi dhe Muhamedi si miq që i lidh dashuria e tyre për Zotin, si dhe vizioni i tyre për një botë të karakterizuar nga drejtësia, mëshira dhe barazia.

Po ua sjellim të plotë urimin e Gazmend Agës:

E dua Jezusin, e dua Muhamedin, e dua Paqen

Në këtë kohë krize vlerash, shqiptarët kanë ende të pakonsumuar gurin e çmuar të dialogut ndërfetar. Për një vend të vogël si i yni, harmonia ndërfetare mbetet një aset i rëndësishëm i paqes sociale në Shqipëri.

Duke parë se si kanë jetuar dhe shembujt që kanë lenë ata, po të jetonin sot mes nesh, në të njëjtën kohë, Jezusi dhe Muhamedi (Paqja e Zotit qoftë mbi Ta), nuk do të jetonin si rivalë, por si vëllezër.

Të dy thanë “Zot, fali se s`dinë ç’bëjnë!”, të dy thanë “Mos gënjeni!”, të dy thanë “Duaje vëllanë si veten!”. E thanë dy diejt, e ndoqën dishepujt dhe sahabët, e përcollën tek ne.

Dashuri shpërndanë, dritë në terr u bënë.

Ata do ta kishin konsideruar njëri-tjetrin si shokë, sepse ata ishin miq të Zotit. Ata do të kishin të njëjtat shpresa dhe synime për pasuesit e tyre.

Dy diej jetuan në kohë të ndryshme, por që u rrihte zemra në të njëjtën frekuencë, me të njëjtën busull hyjnore.

Kushedi ç’pikëllim do të përjetonin prej dhunës që karakterizon një pjesë të mirë të shoqërisë shqiptare sot duke filluar nga njeri-tjetri, tek fëmija, bashkëshortja e deri tek prindërit, apo edhe nga veset që po shkatërrojnë çdo ditë e më tepër familjen shqiptare!

Është fat që edhe besimtarët në Shqipëri e kanë jetësuar me sukses këtë frymë harmonie e dashurie.

Besoj se kjo bashkëjetesë ka jetuar në saj të vetëdijes së shëndoshë fetare e kombëtare.

Sa bukur e ka thënë Junus Emreja:

Ejani të njihemi

T’i lehtësojmë punët

Të duhemi

Bota s’do t’i ngelë kujt.

Sfidat ndaj kësaj tolerance e harmonie mund të nisin veç atëherë kur të harrohet apo keqkuptohet misioni real i Jezusit dhe Muhamedit (Paqja e Zotit qoftë mbi Ta).

Nuk është e vështirë të imagjinohen Jezusi dhe Muhamedi si miq që i lidh dashuria e tyre për Zotin, si dhe vizioni i tyre për një botë të karakterizuar nga drejtësia, mëshira dhe barazia.

Zoti na ka krijuar të ndryshem, për ta njohur më mirë njëri tjetrin, madje dhe veten. Njëkohësisht të aftë për të bashkëjetuar, njeriu që njeh veten ka njohur dhe Zotin.

Jemi të ndryshëm, por dimë ta pranojmë tjetrin me vlerat që ka, dhe kjo është një nga vlerat tona më të bukura.

Zoti e gëzoftë çdo shqiptar të krishterë dhe e bëftë Shqipërinë vatër të dashurisë, begatisë dhe harmonisë!

Amin!

Hapsira Reklamuese.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!

Loading...
Lajme të tjera