Fillojnë punimet për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Veternik (Foto) - ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
6 °C

Fillojnë punimet për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Veternik (Foto)

14:56 | 18 Prill 2017

Kjo është rruga e parë në Kosovë që do të ketë 4 korsi në një drejtim, trotuare me ndriçim dhe shtegun për biçiklistë.

Kryeministri Isa Mustafa tha se fillimi i punimeve për zgjerimin e rrugëve, është investim për kryeqytetin.

“Është një hyrje e cila do të jetë madhështore jo vetëm në pamje, por do të jetë madhështore edhe në pikëpamje të funksionimit, sepse tani kemi dy rrugë me nga katër korsi dhe me gjithë infrastrukturën tjetër për këmbësorë dhe për biçiklistë. Edhe pjesa tjetër e ndërtimit të rrugës deri të udhëkryqi te Pallati i Drejtësisë është një hap shumë i rëndësishëm, sepse shënon fillimin e unazës për Prishtinën, e cila më vonë mund të lirojë qarkullimin e automjeteve për qytetin e Prishtinës dhe vazhdimin e unazës ashtu siç ka qenë e paraparë me projekt”, tha kryeministri Mustafa.

Investimet në infrastrukturën rrugore, kryeministri Mustafa i vlerësoi si investime shumë të rëndësishme, jo vetëm sa i përket shumës prej 9 milionë euro që parashihen të bëhen në këtë pjesë, por edhe sa i përket funksionalitetit dhe detyrimeve për të krijuar kushte më të mira për qytetarët.

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, tha se zgjerimi i rrugës do të bëhet me katër korsi, do të ketë edhe shtegun e biçiklistëve, ndriçimin dhe trotuarin për këmbësorë.

“Është një investim prej tre milionë euro dhe veç kësaj e njoftova kryeministrin që ne kemi filluar lirimin e rrugëve të Prishtinës, apo trafikun për të gjithë qytetarët. Deri në fund të 2015 e kemi pasur anashkalimin që lidhet me Autostradën “Ibrahim Rugova” dhe autostrada që vazhdon për Shkup. Këtë vit po vazhdojmë me zgjerimin e rrugëve nga QMI deri në Veternik dhe me zgjerimin e rrugëve nga Prishtina në drejtim të Fushë-Kosovës”, tha ministri Zharku, duke theksuar se në procedurë të tenderimit është edhe zgjerimi nga ura e Veternikut që shkon te Pallati i Drejtësisë ku do të ketë një rrethrrotullim.

LEXO PO ASHTU:  Dogana mbledh të hyra nga pikat në veri, por kontrabanda vazhdon

Ministri Zharku, tha po ashtu, se po punohet në riprojektimin e të gjithë kyçjes apo urës që njihet si ura e Veternikut.

Përveç kësaj, ministri tha se në Komunën e Prishtinës janë edhe disa projekte tjera, asfaltimi i rrugës Dheu i Kuq-Mutivodë, pastaj rruga Hajkobillë-Zajqevc-Stallovë deri në Marec të ri dhe projekte të tjera.

“Investimet e përgjithshme në Komunën e Prishtinës për këtë vit do të jenë afër 9 milionë euro”, tha ministri Zharku.

Ky segment rrugor, në të cilin sot filluan punimet, do të zgjerohet në të dy anët e rrugës me nga dy korsi të reja, me gjerësi prej 3.5 metrash për secilën korsi. Po ashtu, në të dy anët e rrugës do të ndërtohen trotuare me ndriçim dhe shteg të biçiklistëve.

Projekti është paraparë të realizohet me 2 llote. Lloti 1 do të jetë drejtimi Prishtinë – Veternik, krahu i majtë i rrugës, i cili sipas kontratës parashihet të përfundojë brenda 150 ditë pune, me një gjatësi prej 1.5 kilometrash dhe me kosto prej 1,589,674.34 eurosh, ndërsa lloti 2 është drejtimi Prishtinë – Veternik, krahu i djathtë i rrugës, me një gjatësi prej 1.5 kilometrash dhe me kosto prej 1,374,516.70 eurosh. Punimet e llotit 2, sipas kontratës, parashihet të përfundojnë brenda 110 ditë pune.

\

 

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!

Lajme të tjera
Loading...