Ja sa personave u është njohur statusi i viktimës së dhunës seksuale – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
3 °C

Ja sa personave u është njohur statusi i viktimës së dhunës seksuale

10:39 | 24 Qershor 2018

Në Komisionin qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, më shumë se 550 persona kanë dorëzuar aplikacionet për verifikimin e statusit, kurse, 113 persona deri më tani u është njohur statusi i viktimës së dhunës seksuale.

Kryetarja e këtij komisioni, Minire Begaj në një prononcim për KosovaPress, ka deklaruar se nga numri i përgjithshëm, deri më tani janë trajtuar 218 raste, kurse, 45 viktima tashmë kanë pranuar benificionet e njohura me ligj.

“Deri më tani iu ka njohur statusi 113 personave, prej tyre janë 85 të refuzuara, kemi në procedurë një numër të konsiderueshëm. Ne si komision po mundohemi që ato që i ka paraparë ligji dhe rregullorja, që të gjitha rastet t’i trajtojmë ashtu siç duhet me profesionalizëm…Kemi edhe gjendjen përgjatë muajve, prej 5 shkurt kur ka filluar aplikimi në muajin shkurt, i kemi 91 raste të aplikimit, në muajin mars i kemi 232 raste, prillin e kemi 115, muajin maj 95 dhe qershorin e kemi 24 raste por qershor ende nuk është përmbyllur si muaj”, u shpreh ajo.

Sipas saj, nga statusi si viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, u është njohur gjithsejtë pesë meshkujve dhe 108 femrave.

“Prej 218 rasteve që ne veç i kemi trajtuar, kemi pasur meshkuj aplikime 14, prej tyre 5 janë të aprovuara, shtatë janë refuzuar dhe një ka mbetur në dokument shtesë se ne i shfrytëzojmë edhe ato mundësitë që kur konsiderojmë që nuk është dokumentacioni i plotësuar, japim një afat optimal për t’i sjellë dokumentet. Kemi një rast i cili është duke pritur për dokumentet shtesë. Femra total të trajtimi i kemi 108 që iu ka njohur domethënë statusi, të refuzuar 78. Kjo është gjendja e meshkujve dhe femrave për ketë muaj që ne i kemi trajtuar. Për femra i kemi në total që kanë aplikuar 204 prej atyre që i kemi trajtuar”, ka bërë të ditur Begaj.

Këtë proces po e ndihmojnë edhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës(QKRMT), “Medika Kosova”, “Medika Gjakova” dhe “Qendra për Promovimin e të drejtave të Grave”, me seli në Drenas, por formularët mund të dorëzohen edhe direkt në Sekretariatin e Komisionit ose edhe tek zyrtarët e trajnuar dhe të autorizuar në njërën nga zyrat rajonale të departamentit përkatës për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti, duke e konsideruar si proces të ndjeshëm, u shpreh se gjatë ditës po i plotësojnë nga dy formular.

“Ka raste të reja edhe çka është më interesantja po na bënë shumë përshtypje po vijnë me burra, me bashkëshort, po dua të them me familjarët e tyre edhe fillimisht ndoshta vijnë pak me pa ambientin, me pa sa janë të sigurt, qysh po i presim…Pastaj pas tre-katër muajve vendosin me ardhur, telefonojnë, iu lëmë takimet veç edhe ashtu deri në fund të korrikut e kemi listën që e kemi bë. Gjatë ditës mund t’i plotësojmë si formular diku rreth dy jo më shumë për faktin se ngjarja traumatike duhet të merret rrëfimi dhe përjetimi i gruas, edhe i burrave duhet të merret shumë në formë të detajueshme, sepse ajo është e vetmja evidencë që ia mundëson komisionit për ta marrë vendimin pozitiv apo negativ”, ka bërë të ditur Rushiti.

Rushiti po ashtu ka deklaruar se për 30 për qind është rritur numri i rasteve të reja që po lajmërohen në këtë qendër.

“Mund të them diku rreth 20-30 për qind e numri të përgjithshëm ka por ka edhe grupe që po vazhdojnë me u lajmërua dhe jemi duke menduar qysh me i trajtuar se nganjëherë krijohet përshtypja që ato mund të trajtohen në grup, ndoshta sikur kategoritë tjera të luftës. Këtu pak është më specifike pasi që ki rast që t’i nuk mundesh me ia marrë historinë traumatike pa e trajtuar, duhet me fut fillimisht në trajtim, me përpunuar pak traumën, me arrit me biseduar, me krijuar besim, pastaj duhet me vazhduar me i plotësua dokumentacionet që e kërkon komisioni shtetëror”, ka deklaruar ajo.

Nga data 5 shkurti ka filluar aplikimi për njohjen dhe verifikim e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dhe i gjithë ky proces pritet të zgjatë pesë vite.

Ndërsa në muajin nëntor të vitit të kaluar, Qeveria ka marrë vendim që pagesa mujore për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, të jetë 230 euro.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!