Kurbani Saimir për sulltanin Ilir – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
6 °C

Kurbani Saimir për sulltanin Ilir

Shkruar nga: Armand Shkullaku

23:18 | 11 Mars 2017

Pafuqia e Ramës i ka lënë ligësht edhe përkrahësit e tij të përhershëm, të cilët u entusiazmuan pak javë më parë kur u duk se ai i qëndroi “si burrë” imponimit të Ilir Metës për të ndërruar kokën e Manjanit me atë të Tahirit. Por si çdo herë, e vetmja gjë ku zhgënjimi mbetet i sigurtë, është të besosh tek qëndresa e Ramës.

Në të gjitha rastet, kur opozita kishte ngritur akuza serioze për ministrin Tahiri, kur gazetarët zbulonin periodikisht skandale dhe implikime të ministrit me krimin dhe trafiqet, kur mediat e huaja e shpallën Shqipërinë “republikë të kanabisit”, kur agjensitë e huaja raportonin për kriminelë që kishin imunitet politik, kur ambasadorët tregonin me gisht përgjegjësinë e institucionit të rendit, Edi Rama nuk e lëshoi Tahirin. Jo sepse besonte tek puna e tij apo se nuk i shiste bashkëpunëtorët, por sepse e dinte që dorëzimi i Tahirit në ato kushte ishte në fakt dënimi i atij vetë. Sepse Tahiri ishte një shembull i përkryer i modelit që Edi Rama frymëzoi me qeverisjen e tij.

Por kryeministri e sakrifikoi ish qemalistin besnik Sajmir pa iu dridhur dora, në momentin e parë që ndjeu se mund t’i rrezikohej pushteti i tij. E bëri i kushtëzuar nga Ilir Meta, i cili dëshmoi edhe njëherë forcën imponuese dhe vërtetoi se nuk e kishte dhënë veresie kokën e Ylli Manjanit. i vetmi lëshim që Meta ka bërë, është koha që i la Ramës në dispozicion për të mos u dukur krjetësisht i përdhosur në sytë e opinionit publik. Pakti për shkarkimin e Tahirit është arriur që në takimin Rama- Meta që i parapriu largimit të Manjanit, por duke e shtyrë në kohë, kryeministri mendoi se mund të zvarritej edhe ca me brekë nëpër këmbë.

LEXO PO ASHTU:  Isa Mustafës i ka mbetur ngritja e akuzës vetëm edhe kundër vetvetes

Por në prag të zgjdhjeve elektorale, kur Rama i kërkon çdo ditë me ankth Ilir Metës ta shpallë zyrtarisht koalicionin paraelektoral me PS, kur ethet e numrave dhe frika se mos LSI nuk e quan normale të hyjë në zgjedhje pa opozitë, kryeministri e lëshoi kurbanin e parë. Ai i harroi fjalimet për policinë më të suksesshme në historinë e kombit shqiptar, akuzat kundër opozitës dhe baltën mediatike që nxinin punën e ministrit të tij të dalluar. Përballë hallit të madh me Ilir Metën, Saimir Tahiri rezultoi një gogël. Rama e shiti, duke noterizuar kështu edhe njëherë pafuqinë e tij për të vepruar me vullnet të lirë dhe për t’u qëndruar presioneve.

Sigurisht që në këtë kapitullim, nuk është thjesht çështja e numrave të koalicionit dhe pasiguria se si do të shkojnë zgjedhjet e ardhshme nëse nuk merr pjesë opozita. Dorëzimi i Ramës, është dorëzimi i një njeriu që e di se është peng i keqqeverisjes së tij, që në katër vjet u ka shëbyer interesave të veta dhe atyre të klientëve të tij dhe jo qytetarëve, që nuk ka as moral dhe as fuqi t’i thotë jo Ilir Metës. Ai përbën rastin tipik të politikanit që e ka konsumuar aq shumë abuzimi me pushtetin sa nuk i ka mbeur asnjë shans për të provuar të frymëzojë, të qëndrojë apo të riskojë në emër të parimeve me të cilat erdhi në pushtet. Edi Rama sot është skllav i dështimit të tij dhe ndonëse erdhi në pushtet me 1 milion vota, duket i katandisur si mos në keq, duke u endur të mbledhë votat e tregut çam, duke plotësuar çdo kërkesë të LSI apo duke kërkuar opinionistë me qera dhe portale me sevda, për të mbetur i kapur pas karrikes së kryeministrit.

LEXO PO ASHTU:  Kryeprokurorin e shtetit nuk e "vizituan" hajnat e pulave!

Kaq i vërtetë është ky degradim, sa edhe vetë Rama nuk u kujdes të shpëtojë fytyrën ndërsa dorëzoi në tepsinë e LSI, Saimir Tahirin. U kujtua për këtë kur lajmi mori dhenë dhe sajoi një gjoja riformatim elektoral të qeverisë(?! ), por të cilin do ta shpjegojë të hënën se nuk di as vetë se çfarë të thotë.

Një sajesë qesharake dhe njëkohësisht e mjerë si dëshmi e pafuqisë së tij. Përpjekja e dëshpëruar për ta mbuluar atë që duket me kilometra larg e katranosi edhe më keq pozitën e kryminsitrit. Shpikja e një qeverie elektorale për të kamufluar kurbanin Saimir për sulltanin Ilir, e nxjerr dhe më zbuluar impotencën e një kryeminstri të kapur. Sado që mbështetësit e tij duan ta bëjnë të duket si një lider që merr vetë vendime, fatkeqësisht do të mbeten të zhgënjyer. Eshtë i njëti Ramë që i bënte fjalimet Metës dhe i çonte lule Nanos, që shante Nanon dhe frymëzonte Pandin, që është i kapur dhe i varur që ditën e parë që vuri këmbën në politikë. Dhe në këto katër vite qeverisje, megjithëse është zyrtarisht kryeminstër, të gjithë minisrat ia ka ndërruar Ilir Meta.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!