Nga moti ekstrem, vdes një i pastrehë në Sarandë – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Nga moti ekstrem, vdes një i pastrehë në Sarandë

16:11 | 08 Janar 2017

Sinoptikanët njoftojnë për një përmirësim të temperaturave në ditët e ardhshme, por që gjithsesi ato do të jenë nën zero ndërsa në zonat e ftohta malore, do të vijojnë temperaturat tepër të ulëta.

Pas debateve në distancë të deputetit Pjerin Ndreu me ministrin e Transporteve, Sokol Dervishaj inspektoi rrethin e Pukës. I shoqëruar edhe nga deputeti socialist, Dervishaj deklaroi se rrugët nuk kanë qenë asnjëherë të bllokuara pavarësisht se temperaturat kanë arritur në -20 gradë. Kritikave për firmat kontraktore në rrugë, Dervishaj pavarësisht se nuk paraqiti asnjë ankesë tha se në përfundim të situatës do t’i bëjë analizë punës së tyre.

“Aktualisht situata nuk është më problematike dhe po shkon drejt përmirësimit, por të mos harrojmë se jemi në kushte dimri dhe sidomos drejtuesit mjeteve në disa zona duhet të kenë kujdes dhe të përdorin zinxhirë dhe goma dimri për automjetet. Në lidhje me disa kritika ndaj firmave të mirëmbajtjes, ne si Ministri e Transportit në përfundim të kësaj situate do të zhvillojmë një vlerësim të detajuar për mënyrën se si u përballua situata jo vetëm në transportin rrugor, por edhe në atë detar dhe të aviacionit civil. Por ajo që konstatoj dhe nga terreni firmat kanë reaguar duke pastruar borën dhe hedhur sasi të mëdha kripe në rrugë”, deklaroi Dervishaj, raporton Tch.

Në Kukës të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme me zinxhirë. Në Rrugën e Kombit po punohet me mjete për pastrimin e borës dhe akullit. Akset Kukës-Has-Tropojë dhe Tropojë-Qafë Morinë qarkullimi kryhet me zinxhirë. Por akset rurale Grykë Çajë, Kalisë, Arrën, Surroj, Topojan, Shishtavec dhe Gjinaj mbeten te bllokuara.

Edhe në aksin rrugor kombëtar Qafë Bualli-Peshkopi, njësia administrative Maqellarë, qarkullimi kryhet me zinxhirë. Aksi rrugor Shkodër-Qafë Thore-Theth është i bllokuar, ndërsa trashësia e borës ka arritur 1 metër.

Fadroma nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile dhe Ministria e Mbrojtjes po punojnë për hapjen e akseve rrugore në Bashkinë Malësi e Madhe.

Në Elbasan, aksi rrugor Librazhd-Stëblevë i kalueshëm me zinxhirë. Por i ftohti shënoi edhe një tjetër viktimë. Këtë radhë në Sarandë. 54-vjeçari endacak Leonard Beqiri ndërroi jetë në spital. Ai u gjet në rrugë nga policia dhe u dërgua për mjekim, por nuk mundi dot të jetojë. 54-vjeçari jetonte prej kohësh në një makinë të braktisur.

Temperaturat e ulëta nën 0 kanë krijuar një situatë të pazakontë prej dekadash në rrethin bregdetar të Durrësit. Bora ia ka lënë vendin ngricës. Rrugë, trotuare dhe sheshe ndodhen nën pushtetin e ngricës duke e vështirësuar ndjeshëm lëvizjen. Ky mot i ka kapur të papërgatitur banorët e bregdetit të pamësuar për të përballuar temperatura kaq të ulëta dhe lëvizjen në ngricë, ku nuk kanë munguar dhe rrëshqitjet e pësimet e frakturave.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!