PISA dhe arsimi mesjetar i Kosovës - ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
6 °C

PISA dhe arsimi mesjetar i Kosovës

Shkruar nga: Jusuf Thaçi

13:15 | 06 Dhjetor 2016

Sot u publikuan rezultatet e vlerësimit PISA ku Kosova mori pjesë për herë të parë, gjë që na mundëson që për herë të parë ta shohim nivelin e arsimit në Kosovë objektivisht dhe ta krahasojmë atë me vendet e tjera të botës. Rezultatet e PISA-s na treguan atë që e kemi ditur të gjithë: Kosova e ka një gjendje të mjerueshme sistemin e arsimit dhe është me dekada e shekuj prapa vendeve të zhvilluara. Vetëm vetëdijesimi, vullneti dhe mobilizimi i mirëfilltë i gjithë shoqërisë dhe i të gjitha institucioneve mund ta shpëtojë arsimin në Kosovë, përkatësisht mund ta shpëtojë Kosovën dhe të ardhmen e saj.

Në vazhdim do të bëjmë një shqyrtim të shkurtër se ç’është PISA, çfarë rezultate arriti Kosova, çfarë tregojnë këto rezultate dhe çfarë duhet të bëj Kosova pas këtyre rezultateve në PISA.

Ç’është PISA?

Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve/Studentëve (PISA) është një studim ndërkombëtar që organizohet nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) çdo tre vjet (që nga viti 2000), në të cilin marrin pjesë shumë shtete dhe ekonomi botërore. Në vitin 2015 morën pjesë 72 shtete dhe ekonomi, përfshirë edhe Kosovën, e cila mori pjesë për herë të parë në këtë studim. Rezultatet e vlerësimit PISA 2015 u publikuan sot, më 6 dhjetor 2016.

PISA përfshin vlerësimin e nxënësve 15-vjeçarë në tri fusha të rëndësishme: në fushën e leximit (gjuhës), matematikës dhe shkencës (megjithëse mund të përfshihen edhe fusha të tjera, si zgjidhja e problemeve dhe njohuritë financiare, aspekte që lidhen me motivimin, besimet rreth vetes dhe strategjitë e të mësuarit të nxënësve, si dhe aspekte të tjera demografike). Vlerësimi i PISA-s ka të bëj me vlerësimin e kompetencave të përgjithshme të nxënësve në këto tri fusha, përkatësisht sa janë të përgatitur nxënësit që të zbatojnë në jetën reale njohuritë dhe shkathtësitë e mësuara gjatë shkollimit nga këto fusha. Pra, PISA nuk bën vlerësime se sa mirë nxënësit e zotërojnë kurrikulen specifike, por sa i përgatitë shkollimi nxënësit për ballafaqim me sfidat e jetës së përditshme, si dhe për sukses në shkollimin e mëtutjeshëm.

LEXO PO ASHTU:  Ndëshkimi i Ramush Haradinajt nga aleatët. Pse?

Rangimi i vendeve pjesëmarrëse bëhet bazuar në pikët mesatare që kanë arritur nxënësit e atij vendi. Rangimi bëhet për të tri fushat veç e veç (lexim, matematikë dhe shkencë) dhe nuk ka rangim të përgjithshëm për të tri fushat së bashku. Mesatarja e pikëve të vendeve që marrin pjesë në PISA është rreth 500 pikë, ndërsa rreth 2/3 e nxënësve që marrin pjesë në vlerësimin PISA arrijnë prej 400 deri 600 pikë. Përveç rangimit të vendeve, varësisht prej rezultateve individuale edhe nxënësit kategorizohen në kategori të ndryshme, duke filluar prej atyre shumë të dobët deri te ata shumë të mirë, nivelet 1 – 6.

Rezultatet e Kosovës në PISA

Në të tri fushat e përfshira në vlerësimin e PISA-s (lexim, matematikë dhe shkencë) Kosova u rendit ndër të fundit krahasuar me të gjitha vendet dhe ekonomitë tjera pjesëmarrëse. Madje jo vetëm ndër të fundit, por shumë larg nën mesataren (500 pikë), mjaft nën mesataren edhe të Shqipërisë.

Kosova në lexim arriti një mesatare prej 347 pikëve (e fundit – baras me Libanin), në matematikë arriti një mesatare prej 362 pikëve (pas Kosovës mbetët vetëm Algjeria dhe Republika Domenikane), ndërsa në shkencë arriti një mesatare prej 378 pikëve (pas Kosovës mbetët vetëm Algjeria dhe Republika Domenikane).

Në planin individual, 0% e nxënësve të Kosovës kanë arritur rezultate të larta (top performers – niveli 5 dhe 6), ndërsa mbi 60% e nxënësve të Kosovës janë me rezultate shumë të dobëta (low achievers – nën nivelin 2).

Çfarë tregojnë rezultatet e Kosovës në PISA

Këto rezultate shumë të ulëta të Kosovës në PISA tregojnë që Kosova ka një sistem të arsimit jo-funksional, të dështuar, që nuk i përgatitë nxënësit për jetë dhe për të qenë të suksesshëm gjatë karrierës, si dhe që me këtë sistem të arsimit në Kosovë nxënësit tani s’kanë çfarë kërkojnë në tregun ndërkombëtar as sot as në të ardhmen e afërt. Këto rezultate treguan se ne si shtet e si shoqëri nuk përkasim në botën moderne, ne jemi në mesjetë, nuk jemi as afër vendeve e shoqërive të zhvilluara e të qytetëruara, të cilat aspirojmë t’i arrijmë.

LEXO PO ASHTU:  Hadi Shehu, i la kombit tonë një kujtim të shtrenjtë

Veç kësaj, rezultatet e Kosovës në PISA treguan edhe për një mashtrim të madh që i bëhet shoqërisë tonë nga mësimdhënësit e shkollat dhe nga ministria e arsimit, sepse rezultatet e vlerësimeve të brendshme në shkolla dhe rezultatet e vlerësimeve të jashtme nga ministria e arsimit “tregojnë” një gjendje shumë më të mirë të arsimit në Kosovë, gjë që vlerësimi i PISA-s e demantoi fund e krye.

Çfarë duhet të bëj Kosova

Së pari Kosova duhet ta ulë në gjysmë-shtizë flamurin në të gjitha institucionet e vendit dhe në të gjitha familjet, për të mbajtur zi për vrasjen që ia kemi bërë arsimit tonë, fëmijëve tanë, të ardhmes sonë. Le të turpërohet dhe le ta pranojë përgjegjësinë çdo subjekt politik që ka qeverisur me Kosovën, çdo ministër i arsimit, çdo kryetar komune, çdo drejtor i DKA-së (përfshirë edhe veten për aq kohë sa kam qenë), çdo drejtor shkolle e çdo mësimdhënës në Kosovë për këtë shkatërrim të sistemit të arsimit.

Pas kësaj, të vetëdijesohemi dhe të mobilizohemi të gjithë që vërtetë të ndërtojmë sistem të mirëfilltë të arsimit në Kosovë. Pra, të ndërtojmë sistem të arsimit në Kosovë e jo ta reformojmë atë, sepse s’kemi çfarë reformojmë. Sistemi ekzistues (i ashtuquajtur) i arsimit në Kosovë është vetëm sistem i punësimit të njerëzve, jo sistem i arsimit. Kjo nënkupton që është momenti i fundit që vendimmarrësit në Kosovë dhe qytetarët e Kosovës ta kuptojnë se ne harxhojmë qindra miliona euro tonat çdo vit për t’i shkatërruar dhe për t’i mbytur fëmijët tanë.

Përfundimisht duhet që arsimi në Kosovë të caktohet si krye-prioritet i vendit, jo vetëm deklarativisht, por praktikisht. Duhet të investohet financiarisht në personel dhe në infrastrukturë, në mënyrë që sa më shpejt të arrihet puna vetëm në një ndërresë nëpër shkolla; duhet të ndërtojmë legjislacion të detajuar që garanton sigurimin e cilësisë në arsim dhe që ndëshkon ashpër (edhe penalisht) të gjithë ata që cenojnë cilësinë në arsim, që prej mësimdhënësve në shkolla e deri te ministri i arsimit; duhet të ndërtojmë mekanizma vet-funksionues që garantojnë respektimin e standardeve dhe kritereve në arsim nga të gjithë; duhet të vlerësojmë mësimdhënësit dhe drejtorët e shkollave dhe të largohen të gjithë ata që nuk janë profesionistë ose që janë të papërgjegjshëm e jopunëtorë; duhet të kategorizojmë pagat e mësimdhënësve në varësi të profesionalizmit, përkushtimit, performancës dhe rezultateve të tyre; duhet të ashpërsojmë kriteret dhe të përsosim praktikat e përgatitjes së mësimdhënësve; duhet të rikonceptojmë tërësisht tekstet shkollore dhe t’i përgatisim ato në përputhje me zhvillimet dhe metodat bashkëkohore; duhet të krijojmë fonde të veçanta për shpërblimin e drejtorëve, mësimdhënësve dhe nxënësve të mirë, punëtorë e të suksesshëm; etj., etj..

LEXO PO ASHTU:  Ditë zie për Kosovën

Nëse institucionet përkatëse të Kosovës nuk vetëdijesohen dhe nuk mobilizohen për të ndërmarrë veprime të mirëfillta për përmirësimin e arsimit në Kosovë, atëherë së paku shpresoj që së paku qytetarët e Kosovës të vetëdijesohen dhe të mobilizohen për këtë (duke ua imponuar institucioneve), sepse kjo ka të bëjë drejtpërdrejt me fëmijët tanë, me të ardhmen e tyre, me të ardhmen tonë, me të ardhmen e shteti dhe shoqërisë sonë.

Po nuk u zgjuam sot, kur të zgjohemi herën tjetër do të jetë vonë, me siguri bota e qytetëruar do të jetë duke jetuar në ndonjë planet tjetër, ne do të jemi vetëm njëri nga llojet e kafshëve në planetin tokë.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!

Lajme të tjera
Loading...