Pse nuk po dënohen me rezolutë krimet e komunizmit? - ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
6 °C

Pse nuk po dënohen me rezolutë krimet e komunizmit?

Shkruar nga: Milazim Krasniqi

22:33 | 20 Prill 2017

Polemikat për figurën e Fadil Hoxhës, kështu si po bëhen, janë të padobishme dhe të dëmshme. Ato prodhojnë konfuzion dhe rrezik të rehabilitimit të krimit.

Kështu do të vazhdojë deri sa Kuvendi i Kosovës të marrë guximin e ta miratojë një rezolutë me të cilën do të dënohen krimet e komunizmit (1945-1990.) Pasi të dënohen me rezolutë krimet e komunizmit, duhet të fillojë procesi i gjykimit dhe dënimit (edhe në mungesë) të kriminelëve, që i kanë kryer krimet në emër të asaj ideologjie e të atij regjimi komunist. Pastaj duhet të fillojnë proceset gjyqësore të rehabilitimt të viktimave të tyre.

Brenda këtij procesi, duhet të gjendet edhe mundësia e sigurimit dhe hapjes së dosjeve të bashkëpunëtorëve të shërbimeve sekrete serbe e jugosllave, pasi një pjesë e madhe e krimeve janë kryer në bazë të spiunimeve të tyre. Pasi të kryhen këto procese nga Kuvendi e nga gjykatat, do të jetë e qartë se kush ka qenë tradhtar e kush viktimë. Vetëm pas këtyre proceseve politike e gjyqësore, do të mund të dihet se kush çka ka bërë dhe çfarë statusi mund të ketë në historinë tonë.

Pra, edhe Fadil Hoxha. Ndonëse në rastin e tij, edhe me aq sa dihet deri sot, për faktin që ka qenë figura kryesore e komunistëve shqiptarë në vitet 1945-1988, në hierarkinë e regjimit komunist jugosllav, nuk do të mund të ketë një shfajësim. Ai ka qenë lideri komunist në Kosovë, në kohën kur kanë ndodhur disa nga krimet më të përbindshme kundër shqiptarëve (mobilizimi me dhunë për në Vojvodinë, masakra e Tivarit, terrori në Drenicë, terrori ndaj lëvizjes nacionaldemokratike (me pushkatimin dhe ekzekutimin e liderëve kryesorë të saj) aksioni i armëve (1954/1955, dëbimi me terror i shqiptarëve për në Turqi, arrestimet dhe dënimet me burgje të gjata të patriotëve shqiptarë, vrasjet politike, terrori pas vitit 1981.) Si mund të amnesotohet nga përgjegjësia, qoftë dhe vetëm objektive, Fadil Hoxha, lideri kryesor me prejardhje shqiptare i regjimit komunist jugosllav, që i ka kryer gjithë këto krime?

LEXO PO ASHTU:  E keni dhjerë punën!

Me arsyetimin se ka hapur shkolla në gjuhën shqipe?! Gjithkush e di se para Fadil Hoxhës e komunistëve jugosllavë, shkollat shqipe në Kosovë i ka hapur Benito Musolini dhe fashizmi italian (me administrim efikas nga qeveria kuislinge e Tiranës.) Po a do të thotë kjo se ne duhet ta nderojmë Musolinin dhe fashizmin, që na i paskësh hapur shkollat shqipe në Kosovë?! Kurrsesi jo. Atëherë pse duhet të nderojmë një lider komunist jugosllav me prejardhej shqiptare si Fadil Hoxhën, i cili i ka shërbyer besnikërisht ideologjisë dhe regjimit komunist jugosllav, regjim që ka pasur projekt permanent për diskriminimin dhe madje dëbimin e shqiptarëve nga Kosova? Bile me projektet e dëbimit dhe të zhdukjes biologjike të shqiptarëve,ideologjia dhe regjimi komunist jugosllav, ka qenë më antishqiptar se sa sa fashizmi italian.

Përderi sa krimet e fashistëve janë adresuar me kohë, krimet e komunistëve jugosllavë kanë mbetur të pandëshktuara ligjërisht deri sot. Bile, nuk është dënuar me ndonjë rezolutë as periudha e sundimit komunist e gjakatar të Sllobodan Millosheviqit, që përfundoi me gjenocid ndaj popullit tonë. Prandaj edhe ka kërkesa kaq arrogante, madje edhe nga akademikë(!), që, si fillim, Fadil Hoxha te shpallet “Nderi i Kombit”. Në fakt, kështu do të vazhdojë edhe shumë kohë, madje e edhe për drejtues komunistë të tjerë, nëse Kuvendi i Kosovës nuk ua ndalë turrin, duke i dënuar krimet e periudhës së komunizmit dhe duke hapur ashtu edhe mundësitë ligjore për rehabilitimin e viktimave të tyre. Natyrisht edhe mundësitë e kthimit të pronave, që u janë marrë me dhunë mijëra familjeve shqiptare të Kosovës nga kusarët e kuq. (20 prill 2016)

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!

Lajme të tjera
Loading...