Qytetaria e Drenasit, vlera politike dhe PDK-ja – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
6 °C

Qytetaria e Drenasit, vlera politike dhe PDK-ja

Shkruar nga: Bahri Bivolaku

20:14 | 07 Dhjetor 2016

“Mënyra më e mirë për të parashikuar të ardhmen është që ta krijoni atë” – thotë eksperti i menaxhimit Alek Mekenzi. Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas për të parin e komunës në raundin e parë për mandatin e kufizuar kohor, vërtetë reflektojnë demokraci në çdo aspekt. Organizimi, por dhe mesazhi ishin porosi për shumë pushtete tjera lokale, bastione të partive të ndryshme politike. Ishte zë i demokracisë dhe vlerës politike, i tolerancës së mendimit tradicional dhe të ri politik të një kauze të përbashkët. Këtë vlerë e krijoi dhe mundësoi që koncepti demokratik i PDK-së të zhvillohet në këtë masë dhe mbase duhet të jetë shembulli më i mirë për komunat tjera si Istogu, Deçani, Podujeva etj.

Vërtetë idetë dhe ky botëkuptim i shfaqur në këtë koncept politik të zhvilluar, tregojnë se drenicasit dhe drenasasit nuk po merren me parashikimet për të ardhmen, por e krijojnë atë vet. Habitem se si opinionistë të shumtë propagandojnë gjëra tërësisht të paqëndruara se në Drenas dështoi PDK-ja e rrjedhimisht edhe lideri i saj Kadri Veseli, e nuk merren me fenomenin që pamë e që padyshim është vlerë politike.

Nëse dështoi PDK-ja në Drenas, atëherë kush fitoi? Cili subjekt politik apo koalicion fitoi më shumë se ç’kishte në zgjedhjet paraprake? Kishte një numër votash AKR-ja e Behgjet Pacollit e që si kishte më parë, gjersa të tjerat morën më pak se që kishin pasur. Votat e qytetarëve të Drenasit mbetën në konceptin e gjerë të PDK-së dhe nuk shkuan askund. Drenasi nuk tregon dështim të konceptit të PDK-së, tregon vlerën demokratike të shumëmendësisë elektorale mes të resë dhe tradicionales brenda këtij koncepti, e i cili si tërësi e i harmonizuar është vullnet i pamposhtur.

LEXO PO ASHTU:  E vërteta e ndarjes së Mitrovicës

Elektorati i Drenasit porositi lidershipin e partisë së tyre për obligueshmëri e përgjegjshmëri më të madhe në ndërtimin e strukturës së saj organizative, qoftë në nivel lokal apo edhe më gjerë, të ketë çasje më të avancuar në raport me anëtarët dhe simpatizantët e vet. Porositi që duhet rritur komunikimin empatik duke ngjallur kulturën proaktive të të vepruarit, duke ditur që sienergjia dhe komunikimi çlirojnë energjitë krijuese individuale, për çka koncepti i kësaj partie konsiderohet të ketë nevojë për të krijuar një balancë apo harmoni mes shtyllave të kësaj partie dhe mendimit të ri e tradicional. Mendimi i ri në Drenas asnjëherë nuk e ka thënë se po e braktisë konceptin e PDK-së, porse kërkon vend e hapësirë të duhur vepruese.

Konsideroj që në Drenas për balotazhin, lidershipi i PDK-së ka inkurajuar dhe krijuar harmoninë e kërkuar dhe formuar skuadrën kampione të quajtur shtabi zgjedhor i degës, në të cilën janë mbledhur bashkë një grup njerëzish meshkuj e femra, të cilët mund të punojnë bashkarisht e në harmoni për të arritur gjëra të mëdha e jo vetëm për t’i fituar bindshëm zgjedhjet lokale. Projekti mbase është i qartë e i cili ndërlidhet edhe me kandidaturën e Ramiz Lladrovcit. Ai në këtë rast është një sipërmarrës, i cili po merr mbi vete përgjegjësinë për të bërë shumëçka, për të kryer një veprim i cili duhet të rezultoj me heqjen e Drenasit nga faza e investimeve emergjente sa më shpejtë të jetë e mundur dhe hapur kapitullin e ri të zhvillimit. Këtë sipërmarrësi më së miri e bëjnë politikanët e veshur me petkun e guximit.
Shumëkush po propagandon padrejtësisht se qytetarët e Drenasit votuan për ndryshimin. Vërtetë nuk e kam të qartë se për cilin ndryshim, apo ku e gjejnë atë dhe në cilën ofertë politike. Tek Nisma? Kjo aspak nuk qëndron. Mjafton të kthejnë kokën qytetarët e Drenasit kah komuna e Malishevës dhe mënyra e qeverisjes për ta kuptuar se për cilin ndryshim po flitet. Cila është cilësia e ndryshimit, kur ky subjekt për të siguruar ca vota të mundshme po lidhë koalicion me një subjekt të vogël, ku kryetari i kësaj dege e njëherit ish-kandidati për kryetar komune ka një mori dosjesh nëpër organe të drejtësisë. Vallë, ky na qenka ndryshimi?

LEXO PO ASHTU:  Profecia e Ismail Qemali
Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!