Serbia paraqet kandidatët për Kryeprokuror të Krimeve të Luftës - ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
6 °C

Serbia paraqet kandidatët për Kryeprokuror të Krimeve të Luftës

10:53 | 21 Prill 2017

Pas gati një vit e gjysmë pa një kryeprokuror krimesh lufte, qeveria serbe ka propozuar dy kandidatë – me sfida të mëdha përpara pasi Beogradi vazhdon të jetë nën presion për të rritur numrin e ndjekjeve penale.

Në një seancë qeveritare të enjten, prokurorët Snezana Stanojkoviq dhe Milan Petroviq u propozuan si kandidatë për të udhëhequr Zyrën e Prokurorit të Krimeve të Luftës, e themeluar në vitin 2003 për të ndjekur penalisht krimet që u kryen gjatë luftërave të viteve 1990 në ish-Jugosllavi.

Propozimi i qeverisë do të dërgohet në parlament për votimin përfundimtar, data e të cilit nuk është caktuar ende.

Aktualisht, Petroviq është drejtor i komanduar Zyrës së Prokurorit të Krimeve të Luftës, ndërsa Stanojkoviq punon në të njëjtën zyrë si prokurore.

Këshilli Prokurorial i Shtetit, organi përgjegjës për parazgjedhjen e prokurorëve, dërgoi një listë prej tre kandidatësh – Stanojkoviqin, Petroviqin dhe Dejan Terziqin – në qeveri në tetor, por asnjë vendim nuk u mor për gjashtë muaj me radhë, duke e lënë në harresë këtë institucion të rëndësishëm.

Serbia ka qenë pa një kryeprokuror krimesh lufte që në dhjetori i vitit 2015, duke shkaktuar kritika nga organet e pavarura, organizatat për të drejtat e njeriut dhe Bashkimin Europian në progres raportin e tij vjetor, shkruan kallxo.com

Sipas vëzhguesve, kjo ka dëmtuar më tej institucionin tashmë të brishtë, i cili ka vuajtur nga një mungesë mbështetjeje dhe burimesh, si edhe i është nënshtruar presionit politik gjatë dy viteve të fundit.

Numri i ndjekjeve penale të krimeve të luftës ka qenë më i ulëti për vite me radhë – në vitin 2014 u ngritën vetëm katër padi, në vitin 2015 nuk ka pasur padi ndërsa në vitin 2016 janë ngritur tetë të tilla; njëra ishte rasti i parë serb për krime lufte në Srebrenicë, por të tjerat ishin kryesisht krime të vogla me një të pandehur.

LEXO PO ASHTU:  Më 17 nëntor fillon furnizimi i qytetarëve me targa të automjeteve

Këtë muaj prokuroria ngriti dy padi të reja në lidhje me luftën në Bosnjë – një për vrasjen e boshnjakëve në qytetin Strpci dhe për vrasjet në Sanski Most.

Për tre vjet me radhë, nuk është ngritur asnjë padi për krime lufte në Kosovë.

Prokurorët gjithashtu dështuan për herë të parë të marrin pjesë në takime rajonale me kolegët e tyre nga shtetet e tjera ish-jugosllave që synonin nxitjen e bashkëpunimit ndërkufitar, i cili është tepër i rëndësishëm për sigurimin e ndjekjeve penale të të dyshuarve që jetojnë në vende të tjera.

Presion dhe kërcënime

Vladimir Vukceviq, ish-prokurori i vetëm deri më tani i krimeve të luftës në Serbi, ishte në krye të zyrës që prej krijimit të saj në vitin 2003 deri në vitin 2015.

Por shumë thanë se zyra e tij nuk që kurrë vërtet e pavarur dhe ndoqi penalisht kriminelë të dyshuar sipas agjendës së qeverisë.

Kritikët e Vukceviqit e akuzuan atë gjithashtu për mungesë guximi për të ndjekur penalisht serbët – ose u shprehën se ai dëmtoi interesin kombëtar duke dënuar vetëm serbë.

Gazetat tabloid gjithashtu vunë nën shënjestër shpesh kryeprokurorin dhe këshilltarët e tij si “tradhtarë” që po merrnin urdhra nga ambasadat e huaja.

Pas disa prej këtyre akuzave në faqet e para të gazetave, njerëzit që punonin në prokurori morën kërcënime, disa prej të cilave synonin familjet e tyre, ndërsa kryeprokurori ruhej madje nga policia për disa periudha kohe.

Kërcënimet u rritën në vitin 2014 pasi disa politikanë, kryesisht nga Partia Progresiste në pushtet e kryeministrit Aleksandër Vuçiq, akuzuan publikisht prokurorinë se ajo punonte për të huajt.

Që kur filloi punë në vitin 2003, Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës ka dhënë dënime për 72 persona në 45 raste. Aktualisht, janë 15 raste krimesh lufte që vazhdojnë në Gjykatën e Lartë dhe atë të Apelit në Beograd, ndërsa 14 raste të tjera janë në fazë hetimi.

LEXO PO ASHTU:  Ministria e Shëndetësisë i mban në punë zyrtarët e akuzuar

Nuk është paditur kurrë ndonjë gjeneral ushtrie apo policie. Sipas një raporti të OSBE-së të publikuar vitin e kaluar, asnjë prej të pandehurve të ndjekur penalisht në Serbi deri më tani “nuk kishte poste të larta në kohën e kryerjes së krimeve”, ndërkohë që vetëm dhjetë për qind e tyre ishin në nivel të mesëm.

Raporti tha gjithashtu se shumica e 27 çështjeve fokusohen në incidente më të vogla – 40 për qind e rasteve përfshijnë tre viktima, ndërsa katër çështje përfshijnë vrasjet e 100 ose më shumë personave dhe katër të tjera përfshijnë vrasjen e 50 ose më shumë personave.

Sfida të mëdha na presin

Cilido që zgjidhet prokuror për këtë post, tashmë e pret një agjendë e madhe përpara.

Në strategjinë kombëtare për ndjekjen penale të krimeve të luftës që u miratua në shkurt të vitit 2016, qeveria bëri zotime të rëndësishme për të përmirësuar të dhënat e saj.

Zyrës së prokurorisë i është kërkuar gjithashtu të miratojë strategjinë e vet hetimore dhe tashmë ka humbur afatin e caktuar nga BE-ja si pjesë e negociatave të pranimit të Serbisë në BE.

Përparimi i mëtejshëm i Serbisë në negociatat me BE-në, sidomos në Kapitullin 23, seksioni që mbulon sundimin e ligjit, do të vlerësohet pjesërisht në bazë suksesit që do të ketë Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës në trajtimin e shkeljeve të kryera gjatë luftërave të viteve 1990.

Serbia do të ketë gjithashtu anëtaren e BE-së, Kroacinë, që ushtron presion, pasi Zagrebi po kërcënon ende se do të bllokojë progresin e Beogradit në bisedimet me BE-në nëse ajo nuk ndryshon një ligj që i jep asaj juridiksion universal mbi krimet e luftës të kryera në ish-Jugosllavi. Zagrebi druhet se kjo do të përdoret për të shënjestruar kroatët.

LEXO PO ASHTU:  Limaj: Përgjegjësinë për vrasjen e kishte marrë Shtabi i Përgjithshëm, unë nuk isha pjesë e tij

Në shtëpi, prokurori i ri duhet të trajtojë një sërë çështjesh komplekse, si ajo për krimet e kryera në Srebrenicë, të cilat avokatët mbrojtës tashmë janë shprehur se bazohen në prova të dobëta.

Ajo duhet të nisë gjithashtu disa çështje të reja –ndjekjen penale për vrasjen e tre shqiptaro-amerikanëve pas luftës së Kosovës dhe për vrasjen e 300 civilëve shqiptarë në fshatin Mejë në Kosovë gjatë konfliktit të vitit 1999.

Më e rëndësishmja, ajo duhet të sigurojë mbështetje nga qeveria, në mënyrë që të sigurojë personelin dhe burimet që i nevojiten për të bërë punën e saj.

Vëzhguesit besojnë se veprimet e kryeprokurorit të ri do të shqyrtohen nga Brukseli, por që të përmbushë kërkesat e BE-së dhe fillimisht do të duhet të kapërcehen sfida të brendshme serioze.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!

Lajme të tjera
Loading...