Strategjia e Energjisë krijon kushte për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik - ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
6 °C

Strategjia e Energjisë krijon kushte për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik

13:48 | 18 Prill 2017

Aty u theksua se sektori i energjisë është i një rëndësie të veçantë dhe duhet të bëhet në mënyrë të sigurt. Andaj Strategjia 2017-2026 e miratuar nga Qeveria siguron energji të sigurt dhe mjaftueshme, si dhe siguron investitorët e huaj që të investojnë në Kosovë.

Në këtë forum u prezantuan edhe sfidat kryesore të sektorit të energjisë, iniciativa për liberalizimin e tregut të energjisë dhe përpjekjet e vazhdueshme për integrimin e tregut.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, u shpreh mirënjohës për mbështetjen që qeveria ka marrë nga partnerët ndërkombëtar duke ndikuar në rimëkëmbjen e ekonomisë, raporton Ekonomia Online.

“Ne kemi miratuar Strategjinë e Energjisë të cilën e konsiderojmë të rëndësisë së veçantë. Konsiderojmë se sa ka qenë e rëndësishme miratimi i kësaj, aq është i rëndësishëm edhe implementimi i saj, që do të jetë një prioritet. Kosova ka nevojë të zhvillojë burimet e energjisë dhe duhet të fillojmë ndërtimin e Termocentralit ‘Kosova e Re’, e cila do të krijojë kushte për zhvillim ekonomik dhe gjithashtu do të sigurojë investitorët që do të vijnë se nuk do të ketë probleme për furnizim me energji elektrike”, ka shtuar Mustafa.

Ai ka thënë se maksimalisht do të angazhohen për respektimin e kushteve ambientale.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha miratimi i Strategjisë së Energjisë, krijon një bazament për të ardhmen e energjisë. Sipas tij, objektivi i parë ka të bëjë me ndërtimin dhe rehabilitimin e kapaciteteve gjeneruese.

“E para është që ka të bëjë me stabilitetin për furnizim, përballueshmëria e çmimeve. Të gjitha këto iniciativa nuk mund të bëhen vetëm nga një aktor, por këto do të mund të bëhen të mundura vetëm me integrimin e të gjithë hisedarëve të sektorit të energjisë”, ka thënë Stavileci.

LEXO PO ASHTU:  Prokurimi elektronik, me defekte teknike dhe qasje të kufizuar në dokumente

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, tha se nuk mund ta theksoi mjaftueshëm rëndësinë e diskutimeve për këtë sektor.

Ai theksoi se viti 2016 është një kthesë e rëndësishme në sektorin e energjisë.“Shumë prej jush e mbani mend dimrin e para gjashtë vjetësh ku shumë shtëpi dhe biznese mbeteshin në terr. Përkundër të arriturave ende paraqet një sfidë për furnizim stabil që bëhet përmes dy termocentraleve të vjetruara. D ShBA-ja do të jetë partneri juaj për t’iu mbështetur juve në hapat ku ju duhet të merrni vendime të vështira”, tha Delawie.

Ai u shpreh i lumtur që mbështesin Kosovën për të zhvilluar integrimin e energjisë së rëndësishme.“Duhet të shohim zotim të qeverisë për zhvendosjen e banorëve që jetojnë afër mihjeve. Duam që liberalizimi i tregut të sjell tarifa të përshtatshme për energjinë”, tha Delawie.

Menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli, tha se viti 2017 është me rëndësi kritike për Kosovën dhe sektorin e energjisë për shumë arsye.

“Jemi krenar që jemi partnerët e Kosovës për përpjekjet e saj në këtë drejtim dhe duam të përgëzojmë përpjekjet e qeverisë në veçanti ato të stafit nga MZHE-ja për hartimin e Strategjisë së Energjisë të cilën e konsiderojmë gjithëpërfshirëse, gjë që e kemi theksuar edhe më parë duke adresuar zgjidhje në aspekte të ndryshme të planit për realizimin për furnizim të besueshëm dhe të përballueshëm me energji elektrike në Kosovë”, tha Mantovanelli.

“Ne besojmë që kjo krijon një hapësirë të mirë për donatorët, jemi ne për të mbështetur në partneritet qeverinë në përpjekjet për të realizuar këtë strategji. Natyrisht se zbatimi vjen gjithmonë më i vështirë se sa dizajnimi ose përpilimi, por ne jemi të zotuar që të jemi partner në përpjekjet e zbatimit në veçanti duke punuar në aspekte më të hollësishme të cilat priten të dalin nga plani i veprimit”, tha Mantovanelli.

LEXO PO ASHTU:  KE ndan 70.5 milionë euro për Kosovën

“Sidoqoftë ne jemi të kënaqur që qasja e qeverisë është gjithëpërfshirëse për shkak se përfshinë nevojën e pashmangshme për të konsideruar edhe aspektet e efiçiencës së energjisë dhe energjisë së ripërtërishme dhe që vë theks të konsiderueshëm edhe në integrimin e tregut në nivel rajonal”, shtoi ai.

Strategjia e energjisë së Kosovës është miratuar nga Qeveria e Kosovës për vitet 2017-2026 dhe pritet që të aprovohet edhe nga Kuvendi i Kosovës. Arritja e synimeve është e bazuar në 5 objektiva të vendosura në dokumentin me të rëndësishëm për sektorin e energjisë, Strategjinë e Energjisë 2017-2026: Sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm dhe cilësor me energji elektrike dhe me kapacitete të nevojshme për një sistem stabil të energjisë elektrike, integrimi në Tregun Rajonal të Energjisë, rritja e kapaciteteve ekzistuese të sistemeve termike dhe ndërtimi i kapaciteteve të reja, zhvillimi i infrastrukturës së gazit natyror dhe plotësimi i caqeve dhe obligimeve në efiçiencë të energjisë; burime të ripërtërishme të energjisë dhe mbrojtje të mjedisit.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!

Lajme të tjera
Loading...