Tallja e qeverisë me statistikat për papunësinë/punësimin - ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
6 °C

Tallja e qeverisë me statistikat për papunësinë/punësimin

Shkruar nga: Gazmend Abrashi

22:29 | 29 Nëntor 2016

Qeveria e Kosovës ka nisur të manipulojë me statistika ekonomike, pasi që ka dështuar ta realizojë premtimin për rritje ekonomike dhe krijim të 120-200 mijë vendeve të reja të punës. Agjencia e Statistikave, që është në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, ka publikuar shifra për papunësinë që nuk përkojnë me realitetin në Kosovë. Ajo i ka publikuar, për herë të parë, anketat për fuqinë punëtore për periudhë 3 mujore, përkatësisht periudhën Janar-Mars dhe Mars- Qershor 2016.

Të dy raportet përveç që kanë mos-përputhje të mëdha me njëra- tjetrën, kanë diskrepanca të mëdha edhe me raportet e tjera paraprake. Ato nuk e tregojnë fare realitetin në Kosovë, pra janë mashtrim e manipulim. Këto konstatime duken të rënda, por mbështetën në numra dhe fakte. Prandaj, në këtë shkrim do të përdor edhe numra (pak e bezdisshme për me u lexu), pasi po e shoh të domosdoshme për me tregu se sa të pasinqertë dhe si tallet kjo qeveri me qytetarët e Kosovës.

Në Anketën e parë të fuqisë punëtore, për periudhën Janar – Mars të vitit 2016, ASK-ja (lexo Qeveria) e ka ulur shkallën e papunësisë në 27.7 për qind nga 32.9 për qind sa ka qenë në fund të vitit 2015. Për të njëjtën periudhë (Janar – Mars) numri i personave të punësuar ishte rritur për më pak se 4 mijë persona. Kjo ulje e papunësisë është bërë duke e rritur numrin e personave jo-aktiv dhe jo duke e rritur punësimin. Në tremujorin e parë të vitit 2016 kemi një rritje të numrit të personave joaktiv për 31 mijë persona, apo nga 62.4% sa ishte në vitin 2015 ishte rritur në 64.8% në tremujorin e parë të vitit 2016. Persona joaktivë janë edhe personat që e kanë humbur shpresën se mund të punësohen. Qeveria nuk i konsideron këta persona (ata që nuk janë aktivë) të papunë dhe as nuk synon që t’ia kthejë besimin atyre.

Për t’u dukur statistikat e ASK-së edhe me qesharake, janë të dhënat e anketës së dytë për vitin 2016 që përfshinë muajt Mars-Qershor. Gjatë kësaj periudhe, Qeveria thotë se janë hapur 28 mijë vende të reja të punës, sepse aq është numri i punëtorëve të rinj. Sa për të kujtuar, kur kryeministri Mustafa e kishte kërkuar votën me LDK-në, në vitin 2014, premtonte 120 mijë vende të reja të punës për 4 vjet. Pra, Kryeministri, Isa Mustafa, i ka premtuar krijimin e 30 mijë vendeve të reja të punës për 1 vit. Tash, ASK-ja po thotë se Qeveria Mustafa ka arritur që për vetëm 3 muaj- pra 90 ditë- t’i punësojë 28 mijë persona dhe t’i krijojë po aq vende të reja të punës. Apo i bie që për çdo ditë (Mars-Qershor) janë krijuar 311 vende të reja të punës. Gjë që është e pamundur marr parasysh rritjen ekonomike të Kosovës. Kosova do të duhet të kishte një rritje konstante ekonomike prej mbi 10 për qind që të mund të krijohen këto vende të pune për një periudhë 1 vjeçare. E në bazë të dhënave të ASK-së rritja ekonomike në tremujorin e dytë ishte vetëm 3.3 për qind.

LEXO PO ASHTU:  Protestat e Lul Bashës, duhet të jenë protesta nevojtare të brezit të ri, e jo protesta partiake e ideologjike!

Kryeministri do të duhej të mburrej vetëm nëse ulja e papunësisë vije si rrjedhojë e rritjes së punësimit, gjë që nuk ka ndodh. Numri i personave të punësuar në vitin 2013 (338 mijë) është për 10 mijë më shumë se numri i personave të punësuar në muajin qershor të vitit 2016 (328 mijë). Krahasuar me vitin 2014 kemi një rritje të punësimit për vetëm 5 mijë persona. A ka vend këtu për mburrje? JO. Është e qartë që ulja e papunësisë në vazhdimësi është bërë duke e rritur numrin e personave jo-aktivë.

Në tërë këtë manipulim me numra, Qeverisë ia ka ndihmuar edhe migrimi masiv i vitit 2014, pasi në masë të madhe janë larguar të papunët. Apo, edhe nëse janë larguar nga Kosova ata që kanë qenë në marrëdhënie pune, prapë ata e kanë lënë një vend të lirë të punës që është zënë nga një i papunë.

Rritja ekonomike e Kosovës nuk e pengon askënd, duke i përfshirë edhe partitë opozitare. Kush është ai që nuk do ta dëshironte një rritje ekonomike prej 10 për qind, rritje e cila nuk mund të vije me një qeveri si kjo që po qeverisë aktualisht. Por, duhet thënë zëshëm që statistikat që janë prodhuar ndër vite nuk janë të besueshme dhe për më tepër janë bërë për t’i shkuar për shtati politikës. Kjo madje është thënë disa herë edhe nga vetë kryeministri Mustafa që tash po i mbron ato vetëm pse po i konvenojnë. Kosova nuk ka nevojë për numra që e favorizojnë një koalicion a parti, por ka nevojë për numra që janë kredibil e mbi të cilët mund të bëhen politikat dhe të planifikohet e ardhmja. Këta numra, për të cilët kryeministri po mburret dhe po është në gjendje që të fyejë e përdorë fjalë ofenduese, janë NUMRA të falsifikuar që nuk e prezantojnë realitetin në Kosovë. Në këtë shkrim është injoruar problemi madhor që kemi si Kosovë me nivelin e ulët të punësimit të grave dhe të rinjve, për të cilët nevojitet një vëmendje e shtuar.

(Autori është ekonomist, sipërmarrës dhe nënkryetar i AAK-së. Ky shkrim pasqyron pikëpamjet personale)

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!

Lajme të tjera
Loading...