Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dorëzuar deklaratën e saj të pasurisë pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, ku ka bërë publike të ardhurat dhe pasuritë që zotëron ajo dhe bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu, raporton FrontOnline.
Sipas deklarimit të saj, Presidentja Osmani ka të regjistruara 1,077 euro para të gatshme në bankë.
Nga pozita e saj si Presidente e Kosovës, ajo ka realizuar të ardhura vjetore në vlerë prej 33,070.00 euro, ndërsa 8,092.00 euro i ka përfituar nga meditjet dhe udhëtimet zyrtare.
Bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu, ka të deklaruara të hyra vjetore në vlerë prej 17,173.16 euro, ndërsa çifti ka gjithashtu 12,000 euro të hyra vjetore nga qiratë e pronave që zotërojnë në Australi.
Në pjesën e pasurive të paluajtshme, Osmani ka deklaruar:
5.1 ari tokë në vlerë prej 35,000 euro
Banesë në vlerë prej 59,760.00 euro, e cila është në emër të bashkëshortit
Garazh në vlerë prej 6,000.00 euro, gjithashtu në emër të bashkëshortit
Shtëpi në vlerë prej 170,000.00 euro, që figuron në emër të bashkëshortit
Një njësi banimi në vlerë prej 190,000.00 euro, që është e përbashkët me bashkëshortin
Një tjetër banesë prej 218 metra katrorë, me vlerë 510,000.00 euro, e cila është në emër të bashkëshortit të saj