Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka reaguar ashpër ndaj, siç i quan ajo, fushatave denigruese kundër ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, duke e cilësuar atë si një nga anëtarët më të denjë të kabinetit qeveritar.
Përmes një statusi në Facebook, Gërvalla e ka vlerësuar Pecin si “punëtor të madh, të ndershëm deri në palcë, të guximshëm si rrallë kush, të ditur, të edukuar, plot integritet dhe dinjitet”.
Sipas saj, sulmet sistematike ndaj ministrit Peci, që kanë filluar para dhe janë intensifikuar pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk janë të rastësishme.
“Janë produkt i krimit të organizuar dhe përfaqësuesve e pronarëve të bizneseve mediatike, që veç gazetarë nuk janë,” shkruan ajo.
Ajo i konsideron akuzat dhe raportimet kundër ministrit si “shtrembërime, trillime dhe gënjeshtra të hapura”, të cilat sipas saj, përfaqësojnë dëshpërimin e atyre që nuk kanë arritur ta dëmtojnë figurën e tij politike dhe publike.
“Qytetari e njeh mirë Fatonin, e vlerëson punën dhe ndershmërinë e tij, dhe prandaj me votë e ka ngritur aty ku e meriton – në mesin e më të votuarve në Republikën e Kosovës,” thekson Gërvalla.
Në përmbyllje të reagimit të saj, Gërvalla rithekson se asnjë fushatë, kërcënim apo sulm nuk do ta ndalë angazhimin e tyre për të çuar përpara detyrat qeveritare “me nder, dinjitet e integritet”, ndërsa vlerësimi përfundimtar, siç thotë ajo, u takon qytetarëve.