Guardiola përdori Bruno Fernandes si shembull negativ për lojtarët e Cityt

By Ora Info May 26, 2026 2 min read

Pep Guardiola ua ka shfaqur lojtarëve të Manchester Cityt një video të Bruno Fernandes duke u ankuar ndaj bashkëlojtarëve, për t’u treguar qartë se çfarë sjelljeje nuk tolerohet në skuadër.

Sipas një raporti të The Athletic, trajneri spanjoll e përdori momentin pas fitores 3-0 në derbin ndaj Manchester United për të dhënë një mesazh të fortë në zhveshtore. Në videon e shfaqur, Fernandes shihej duke reaguar me nervozizëm dhe duke gestikuluar ndaj një bashkëlojtari pas golit të Phil Foden.

Guardiola ua bëri të qartë futbollistëve të tij se sjellje të tilla janë të papranueshme në Manchester City, duke insistuar vazhdimisht në unitet dhe respekt mes lojtarëve, edhe në momentet më të vështira.

Kjo filozofi konsiderohet si një nga arsyet kryesore pse City ka ruajtur stabilitetin dhe harmoninë gjatë dekadës së fundit, në kontrast me tensionet e shpeshta që kanë shoqëruar Manchester Unitedin.

Epoka e Guardiolës në “Etihad” po shkon drejt fundit pas 10 vitesh historike, ku ai fitoi plot 20 trofe, përfshirë gjashtë tituj të Premier League dhe Ligën e Kampionëve.

Ndërkohë, Bruno Fernandes ka qenë shpesh objekt kritikash për reagimet e tij në fushë. Ish-kapiteni i Unitedit, Gary Neville, vite më parë kishte shpërthyer ndaj portugezit duke deklaruar:

“Jam lodhur duke e parë Bruno Fernandesin teksa ankohet dhe ngrit duart ndaj bashkëlojtarëve.”

Vetë mesfushori ka pranuar se ndonjëherë e humb kontrollin emocional gjatë ndeshjeve, por mohon të ketë mungesë respekti ndaj skuadrës.

Manchester United tani synon të ndërtojë një projekt të ri nën drejtimin e Michael Carrick, ndërsa City përgatitet për jetën pas Guardiolës, trajnerit më të suksesshëm në historinë e klubit. /GazeteaExpress/

About the author

Ora Info

OraInfo publishes news, business, travel and technology stories focused on Kosovo and the wider region.