Shtatë persona kanë rënë në pranga mëngjesin e së hënës përgjatë një operacioni të madh policor në Kaçanik, lidhur me vrasjen e rreshterit Muhamed Lika.
Njëri prej të dyshuarve kryesor për vrasjen e policit në Kaçanik është Rejhan Bela, 18 vjeçar ndaj të cilit është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Rejhan Bela, i cili ende nuk kishte mbushur 18 vjet kur ndodhi vrasja e policit Muhamet Lika, po dyshohet se është personi që ka kryer vrasjen. Por, kjo nuk është vepra e vetme që po gjykohet.
Gjykata Themelore e Ferizajt ka konfirmuar për Insajderin se ai është në procedurë të ekzekutimit të masës institucionale për dy vjet, për veprën penale “dhunim”.
Ndaj tij ishte lëshuar urdhër arrest.
“Referuar pyetjes suaj, ju njoftojmë se i dyshuari i mitur për rastin në fjalë të veprës penale ‘Vrasje e rëndë’ për të cilën gjykata ka lëshuar komunikatë për media dhe ju ka njoftuar se gjyqtari i çështjes ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ka në procedurë të ekzekutimit të masës institucionale në kohëzgjatje prej dy (2) vjet për veprën penale ‘dhunim’ nga neni 227 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së për të cilën ka të lëshuar urdhërrarrest”, thuhet në njoftimin e Themelores.
Gjykata Themelore ia ka caktuar të hënën një muaj paraburgim të miturit për vrasjen e policit Lika.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka pranuar kërkesën e prokurorit të shtetit për të caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.
I mituri dyshohet se në bashkëkryerje me madhorët H.B., R.M., V.Ç., E.L., Sh.K. dhe D.G., me dashje e me përgatitje paraprake ka privuar nga jeta rreshterin policor Lika.