Gjykata e Apelit ka nxjerrë vendim përmes të cilit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila ia kishte njohur studentit Sh.J., të drejtën në bursë universitare për programin njëvjeçar të studimeve master në Fakultetin Juridik
“Refuzohet si e pa bazuar ankesa e të paditurës, Ministria e Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit me seli në Prishtinë, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë Departamenti për Çështje Administrative, A.nr.1693/2020, i datës; 02.02.2024, vërtetohet”, thuhet në vendimin e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas Apelit, ndaj vendimit të Themelores kishte ushtruar të drejtën e ankesës Avokatura Shtetërore (që pëfaqëson MAShTI-n) me propozimin që vendimi të prishet dhe të refuzohet padia e paditësit Sh.J., e që ky i fundit, sipas Gjykatës, nuk ka ushtruar përgjigje në ankesë.
Apeli ka konstatuar se qëndrimi juridik i Themelores është i rregullt dhe i bazuar në ligj.
“Qëndrimin juridik të Gjykatës së shkallës së parë, si të rregullt dhe të bazuar në ligj në tërësi e pranon edhe kolegji i apelit, për arsye se aktgjykimi i atakuar nuk është përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të Ligjit për Konfliktet Administrative dhe Ligjit për Procedurën Kontestimore nga neni 182 paragrafi 2, pika (b), (g), (j), (k) dhe (m), për të cilat shkaqe Gjykata e Apelit kujdeset sipas detyrës zyrtare në kuptim të dispozitës së nenit 194 të LPK-së, e rrjedhimisht edhe e drejta materiale është zbatuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë”, thuhet në vendim.
Aty thuhet se në ankesën e Avokaturës Shtetërore, edhe pse pretendohet se Themelorja ka bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës administrative, ato shkelje nuk janë specifikuar në ankesë.
E që sipas Apelit, Gjykata Themelore padinë e paditësit Sh.J., e ka dërguar për përgjigje në padi te e paditura- konkretisht Ministria e Arsimit, kësisoj shkalla e dytë thekson se Themelorja nuk ka kryer shkelje esenciale të dispozitave të procedurës administrative.
Pretendimi i Avokaturës Shtetërore se Themelorja ka konstatuar gabimisht gjendjen faktike, sipas Apelit, nuk qëndron.
“Kolegji i apelit duke i vlerësuar këto pretendime ankimore, vëren se gjendja e vërtetuar faktike nga ana e Gjykatës të shkallës së parë nuk vihet në dyshim me pretendimet ankimore, kjo për faktin se Gjykata e shkallës së parë me rastin e shqyrtimit të padisë së paditësit ka nxjerrë prova të mjaftueshme të cilat vërtetojnë se pretendimet e të paditurës janë të pa bazuara dhe të pa qëndrueshme”, thuhet në këtë vendim.
Kështu sipas Apelit, vendimi i Themelores është i qartë dhe i kuptueshëm, andaj pretendimet ankimore të të paditurës janë të pabazuara.
“Prandaj, sipas vlerësimit të kolegjit të kësaj gjykate, aktgjykimi i ankimuar i gjykatës së shkallës së parë, është i qartë dhe i kuptueshëm, ndërsa në arsyetimin e tij janë dhënë arsyet e mjaftueshme për faktet vendimtare, të cilat i pranon edhe kolegji i apelit”, thuhet në vendim të Apelit.
Kujtojmë se Themelorja kishte konstatuar se paditësi Sh.J., student i Universiteti të Prishtinës “Hasan Prishtina” si një nga Institucionet Publike të Arsimit të Lartë, kishte plotësuar të gjitha kushtet e përcaktuara me ligj. Aty thuhet se ka plotësuar edhe kushtet e parapara me konkursin e datës 29 maj 2020, ku është vërtetuar se nuk ka përsëritur vitin e parë të studimeve dhe se kishte notën mestare 9.70.
Pra, për Gjykatën nuk është bërë e ditur nga e paditura MASHT se si ka ardhur deri te konstatimi i një gjendjeje faktike tjetër dhe se si paditësi Sh.J., nuk kishte plotësuar kriteret sipas udhëzimit administrativ.
“Bazuar në dokumentacionin e ofruar nga Departamenti i Arsimit të Lartë në MASHT, të gjithë përfituesit e bursës elitare ishin master dy vjeçar, ndërsa master një vjeçar të gjithë aplikuesit për bursë ishin refuzuar nga komisioni vlerësues”, kishte konstatuar MASHT.
Sipas Gjykatës, ky konstatim i MASHT është tërësisht i pakuptimtë, i paqartë dhe i pabazuar se paditësi Sh.J., nuk ka plotësuar kriteret për të qenë përfitues i bursës.