Kadri Kryeziu: Seanca konstituive është formalitet – votimi duhet të jetë i hapur, sepse ashtu ka nisur

09:30 | 03 Maj 2025
kadri-kryeziu:-seanca-konstituive-eshte-formalitet-–-votimi-duhet-te-jete-i-hapur,-sepse-ashtu-ka-nisur


Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, për FrontOnline ka komentuar situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës rreth mënyrës së votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke theksuar se seanca konstituive është vetëm një formalitet dhe votimi duhet të zhvillohet në mënyrë të hapur.

“Kjo është një seancë, quhet konstituive, që është formalitet dhe kjo përfundon me zgjedhjen e trupave të tij” u shpreh Kryeziu.

Ai theksoi se në këtë fazë, roli i deputetëve është i kufizuar.

“Në këto situata deputetët nuk kanë pushtet efektiv, dhe kanë të drejtë vetëm një votim me bërë dhe ai është kryetari i Kuvendit,” tha ai.

Kryeziu tha se që në fillim është rënë dakord për votim të hapur dhe se kjo mënyrë duhet të ndiqet deri në fund.

 “Seanca ka filluar dhe janë marrë vesh që të jetë me votim të hapur dhe kjo duhet të përfundojë me votim të hapur.” potencoi ai.

Sipas tij, një votim i fshehtë mund të jetë i arsyeshëm vetëm në raste të tjera.

“Votimi i mbyllur është në momentet kur ka më shumë se dy kandidatë për një pozicion, por kur ka një kandidat, shkohet me votim të hapur.” deklaroi Kryeziu për FrontOnline.

Kryeziu vlerësoi se përpjekjet për të ndryshuar mënyrën e votimit nuk janë të karakterit kushtetues, por politik.

“Kjo tendencë ka karakter politik, sepse partitë opozitare janë të interesuara që të krijojnë Qeverinë vetë.” përfundoi ai.

Komento: