Profesori i ekonomisë, Shkumbin Misini, ka vlerësuar se vendimi i ZRRE-së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 16.1% ka shkaktuar një efekt zinxhir në ekonominë vendore, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve.
Sipas tij, bizneset me konsum të lartë energjie, si furrat dhe lokalet, kanë rritur menjëherë çmimet për shkak të shtimit të kostove operative.
“Pas vendimit të ZRRE për shtrenjtimin e energjisë elektrike për 16.1%, shumë biznese, veçanërisht ato me konsum të lartë energjie si furrat dhe lokalet, kanë ndjekur menjëherë rritjen e çmimeve të produkteve të tyre. Tek bizneset është rritja e kostove operative duke reflektuar në shtrenjtimin e rrymës rrit kostot e prodhimit dhe funksionimit të bizneseve, veçanërisht në sektorët e ushqimit dhe shërbimeve”, u shpreh ai.
Ai thotë se përveç ndikimit direkt, tregu po përballet edhe me spekulime, ku disa biznese e përdorin këtë rritje për të justifikuar ngritje më të mëdha të çmimeve.
“Reagimi i tregut dhe spekulimet, bizneset përdorin rritjen e kostove për të justifikuar rritje më të mëdha çmimesh, duke parashikuar edhe efekte indirekte të uljes së fuqisë blerëse dhe inflacionit në sektorë të tjerë”, deklaroi Misini.
Misini paralajmëroi se rritja e çmimeve do të vazhdojë edhe në muajt në vijim, me pasoja të mëdha për fuqinë blerëse.
“Sipas analizave statistikore ekonomike, 16% përfaqëson vetëm ndikimin direkt, ndërsa efektet indirekte mund të jenë edhe më të mëdha, duke shkaktuar rritje edhe në çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera. Rritja e çmimeve do të vazhdon me rritje për muajt në vazhdim gjate këtij viti”, përfundoi profesori Misini.