Me thirrjen që të sillen si “politikanë të matur”, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i ka shkruar letër kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, duke i kërkuar koalicion qeverisës.
Në këtë letër, Kurti i flet Abdixhikut edhe për PDK-në, me të cilën thotë se nuk janë të interesuar të bëjnë koalicion.
“Jam i bindur që votuesit e LDK-së sot e preferojnë më së shumti koalicionin me LVV. Edhe votuesit e LVV e preferojnë po ashtu më së shumti koalicionin me LDK. Pse të mos e bëjmë? LVV nuk është e interesuar për koalicion me PDK. Ne edhe mund të shkojmë në zgjedhje të reja ku pak çka mund të ndryshojë për LDK-në dhe mandej sërish do të na duhet të ulemi bashkë për koalicionin LVV-LDK! Pse ta bëjmë atëherë më vonë, kur mund ta bëjmë tash? Pse edhe një palë zgjedhje për koalicionin e njëjtë?”, shkruan Kurti në letër.
PDK-ja, paraprakisht e ka hedhur poshtë mundësinë e një koalicioni qeverisës me LVV-në.
Të njëjtin qëndrim e mban edhe LDK-ja, për të cilën Kurti në letër shkroi se “njihet si parti e cila nuk ka hezituar për koalicione qeverisëse”.