Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se nuk kanë diskutuar ende për letrën që kryetari i LVV-së, Albin Kurti ia dërgoi kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku duke i kërkuar koalicion.
Gashi tha se disa deputetë të LDK-së, përfshirë kryetarin janë në Kuvend, por tha se “nuk ka mbledhje zyrtare” të partisë.
“Për t’u trajtuar kjo çështje duhet të mbahet mbledhja e Kryesisë. Thjesht mendime, opinione kemi dhënë gjithësecili, edhe publikisht edhe privatisht, por trajtim formal kjo çështje kërkon në mbledhjen e Kryesisë së partisë. Nuk ka një mbledhje formale, thjesht janë duke bë muhabet. Nuk pata takim tjetër dhe shkova”, tha Gashi.
Ai tha se beson se “do të ketë përgjigje”.
“Patjetër që do të ketë përgjigje, por thjesht muhabet ishin duke bë 4-5 deputetë. Nuk ka mbledhje”, tha ai.
Gashi tha se “nuk ka një ndryshim formal të situatës”.
Nëse shumica janë që të kenë qëndrim të njëjtë, ai tha se vendimin për letrën mund ta marrë vetë kryetari.
Ai tha se kanë pasur takime joformale ndërmjet deputetëve brenda partisë.
“Ka konsultime, ka ide të ndryshme, por qëndrimi është i njëjtë”, tha Gashi.