Kurti i tha Abdixhikut se ka pasur probleme “me disa të tjerë”, Gashi: E papranueshme, por duhet të bisedojmë, qoftë edhe për zgjedhje

12:46 | 05 Maj 2025
kurti-i-tha-abdixhikut-se-ka-pasur-probleme-“me-disa-te-tjere”,-gashi:-e-papranueshme,-por-duhet-te-bisedojme,-qofte-edhe-per-zgjedhje

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi tha se është “e papranueshme” që kryetari i LVV-së, Albin Kurti i tha kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku se “nuk ka pasur probleme me të”, por “me disa të tjerë’ në këtë parti.

Gashi tha se “gjuha e Kurtit që e ka përdorur në letrën që e kishte dërgu është e papranueshme”.

“Nuk është në të drejtën e tij me tregu se kush është i duhuri e kush nuk është i duhuri në LDK. Është e papranueshme. Nuk guxon me përdorë atë gjuhë. Nëse do vërtet partneritet. Nuk i interesojnë atij çështjet e brendshme të LDK-së, siç nuk na interesojnë neve çështjet e brendshme të Vetëvendosjes”, tha ai.

Deputeti i LDK-së tha se partitë politike në Kosovë duhet të diskutojnë për shtensionimin e situatës.

“Duhet me bisedu. Edhe refuzimi duhet të bëhet në tavolinë, edhe të gjitha. Ky është mendim personal i imi”, tha Gashi.

Ai tha se diskutimi është i nevojshëm “qoftë edhe për të shkuar në zgjedhje”.

“Pra duhet të ulemi dhe të gjejmë zgjidhje”, tha ai.

Gashi përmendi se Kurti ka bërë gabime “të vazhdueshme” dhe “të përsëritura”.

Komento: