Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar për herë të tretë një letër kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, por kësaj radhe me një ftesë të drejtpërdrejtë dhe të qartë për krijimin e një koalicioni ndërmjet dy partive. Para kësaj letre direkte, Kurti e kishte ftuar fillimisht veçmas Abdixhikun për një takim, gjë që kishte refuzuar Abdixhiku, më pas ishte ftuar për një takim tre palësh mes kreut të PDK-së, Memli Krasniqi, atij të LDK-së, Lumir Abdixhikut dhe vetë Kurtit, por që edhe kjo ftesë ishte refuzuar nga Abdixhiku dhe pranuar nga Krasniqi.
Në letrën e fundit, Kurti ka qenë më i drejtpërdrejtë se kurrë më parë, duke i shpalosur haptazi qëllimet për bashkëpunim politik në një qeveri të ardhshme mes dy partive politike që kishin udhëhequr për më shumë se 50 ditë bashkë, pesë vite më pare.
“Unë nuk kam pasur problem me juve”, i shkruan Kurti Abdixhikut, duke dhënë sinjale për të kapërcyer tensionet apo dallimet e së kaluarës mes dy partive.
Përmes letrës, Kurti thekson se bashkëpunimi është i mundur edhe mes subjekteve që kanë pasur mospajtime, duke theksuar se “koalicionet bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime”.
Në përmbajtjen e letrës, kreu i Vetëvendosjes thekson se një marrëveshje mes VV-së dhe LDK-së shkruan se kjo është edhe një dëshirë e votuesve të dy partive, të cilët, sipas tij, e shohin këtë bashkëpunim si rrugë të duhur drejt stabilitetit dhe zhvillimit të vendit.
Baraliu: Ftesa e Kurtit për koalicion me LDK-në është më serioze, duhet trajtuar me kujdes
Analisti politik Mazllum Baraliu për FrontOnline ka vlerësuar pozitivisht ftesën e fundit të kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti, drejtuar Lidhjes Demokratike të Kosovës për një marrëveshje të mundshme koalicioni.
Baraliu theksoi se kjo iniciativë e Kurtit është më e pjekur dhe duhet marrë seriozisht nga LDK.
“Konsideroj si një iniciativë në vazhdim të Kurtit, e cila tashmë është më cilësore dhe duhet trajtuar si më e besueshme sepse tani ofrohet jo vetëm bisedë, por është edhe ofertë për marrëveshje koalicioni, që VV i jep një partie të tretë,” deklaroi ai.
Baraliu u bëri thirrje drejtuesve të LDK-së që të mos e injorojnë këtë ftesë dhe të reflektojnë në mënyrë të përgjegjshme mbi mundësinë e një bashkëpunimi të ri politik.
“Mendoj se do të duhej të merrej seriozisht nga LDK dhe me të drejt t’i përgjigjej kësaj oferte. Mos ta marrin me arrogancë, por me kujdes,” tha Baraliu për FrontOnline., duke shtuar se një përgjigje pozitive do të ishte në interes të vendit.
Ai tha se një marrëveshje eventuale mes VV-së dhe LDK-së mund të ndihmojë në tejkalimin e krizës aktuale politike në vend.
“Unë do të doja që të kishte përgjigjie pozitive, që pas gjithë kësaj krize politike, të ketë një marrëveshje që do i zgjidhte problemet aktuale,” përfundoi Baraliu.
Pozhari: Koalicioni VV-LDK do të ishte në të mirën e shtetit, duhet tejkaluar inatet partiake
Analisti politik Xhevdet Pozhari për FrontOnline ka folur pas ftesës së Albin Kurti drejtuar Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për një koalicion të mundshëm me Vetëvendosjen, duke e vlerësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt stabilitetit politik në vend.
Pozhari ka kujtuar se kjo është hera e dytë që Kurti i drejtohet zyrtarisht LDK-së, duke theksuar se tashmë oferta është më konkrete dhe serioze.
“Kjo është hera e dytë që Kurti i shkruan letër LDK-së, më parë letrat nuk ishin të konkretizuara, ndërsa tani po,” tha ai.
Sipas tij, është detyrë e lidershipit politik që të veprojë me përgjegjësi shtetërore, duke vënë interesin e vendit mbi kalkulimet partiake.
“Mendoj se i takon të parit që të tregohet me logjikë shtet-formuese dhe të kalohen inatet partiake dhe të marrin fund kur të përfundojnë zgjedhjet. Në këto situata tregojnë pjekurinë e tyre,” theksoi Pozhari.
Ai paralajmëroi se një koalicion i dobët do t’i shërbente interesave të Serbisë, ndërsa një bashkëpunim i fuqishëm mes partive kryesore do të ishte në të mirën e shtetit dhe qytetarëve.
“Cili do koalicion i dobët do të ishte në favor të Serbisë, një koalicion i madh është në të mirën e shtetit, në të mirën e vendit dhe më pas e tyre se si do të funksionin brenda Qeverisë, ajo do të ishte përcaktuese edhe për rezultatet e partive në të ardhmën,” përfundoi Pozhari.
Spahiu: Koalicioni me VV-në do ta dëmtonte LDK-në, por i leverdis Vetëvendosjes
Analisti politik Nexhmedin Spahiu për FrontOnline ka komentuar ftesën e bërë nga kryeministri dhe kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, drejtuar Lidhjes Demokratike të Kosovës për një koalicion të mundshëm mes dy partive.
Sipas Spahiut, një marrëveshje e tillë nuk do të ishte në interes të LDK-së, ndërsa për Vetëvendosjen do të përfitonte.
“Nuk do të ishte interes i LDK-së me pranu ftesën, por do ishte interes i madh i VV-së me e pranu,” deklaroi ai për FrontOnline.
Spahiu theksoi se një bashkëpunim i tillë do të shkaktonte pasoja serioze për LDK-në, duke e dëmtuar rëndë pozitën e saj politike.
“Natyrisht që do kishte me dëmtuar shumë LDK-në, një koalicion me VV-në,” shtoi ai.