Anëtarësimi në KiE, Kosova jashtë agjendës për mbledhjen e komitetit të Ministrave që mbahet javën e ardhshme

22:45 | 05 Maj 2025
anetaresimi-ne-kie,-kosova-jashte-agjendes-per-mbledhjen-e-komitetit-te-ministrave-qe-mbahet-javen-e-ardhshme

Kosova nuk pritet të jetë në agjendë për anëtarësim në Këshillin e Evropës as në mbledhjen e komitetit të Ministrave që mbahet në mesin e muajit.

Në mbledhjen që do ta mbajë Komiteti i Ministrave me 13 dhe 14 maj, Kosova nuk figuron si pjesë e agjendës.

Një nga zërat që përfaqësoi Kosovën në Asamblenë Parlamentare të KiE’’së, deputetja e PDK’së, Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se nuk e sheh asnjë mundësi që Kosova të jetë në agjendë.

“Si një vend që për momentin jemi pa institucione, pa përfaqësim, si një vend që nuk kemi aleatë që flasin për ne, që lobojnë për shtetin e Kosovës, unë nuk shoh që të ketë asnjë hap pozitiv dhe nuk e shoh asnjë mundësi që Kosova të jetë në agjendë, në mbledhjen e ardhshme të Komitetit të Ministrave”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, një kthesë pozitive mund të vie vetëm nga një qeverisje e re.

“E kemi pas një qeveri e cila nuk ka qenë bashkëpunuese me aleatët tanë, e cila nuk i ka përmbushë premtimet të cilat i ka dhënë karshi aleatëve tanë dhe prandaj ne jemi një shtet që nuk ka asnjë përkrahje nga komuniteti ndërkombëtar”, ka thënë Musliu-Shoshi.

Kushtet kryesore për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës ishin zbatimi i vendimit të Kushtetueses për kthimin e pronave të Manastritit të Deçanit dhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe./Klan Kosova

Komento: