Lumir Abdixhiku përkujton Fehmi Aganin në 26-vjetorin e vras*jes: Një prej shtyllave ideologjike të lëvizjes sonë kombëtare

09:52 | 06 Maj 2025
lumir-abdixhiku-perkujton-fehmi-aganin-ne-26-vjetorin-e-vras*jes:-nje-prej-shtyllave-ideologjike-te-levizjes-sone-kombetare

Në përvjetorin e 26-të të vrasjes së intelektualit dhe veprimtarit të shquar shqiptar, Prof. Fehmi Agani, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kujtuar me nderim figurën dhe veprën e tij, duke e cilësuar si një nga shtyllat kryesore të rezistencës paqësore të Kosovës.

“Më 6 maj të vitit 1999, Kosova humbi njërin nga veprimtarët e mëdhenj – Prof. Fehmi Aganin, intelektualin e urtë, politologun vizionar, sociologun dhe atdhetarin e paepur,” deklaroi Abdixhiku në një mesazh përkujtimor.

Ai theksoi se vrasja e Aganit nga forcat serbe përbën një plagë të thellë për Kosovën, duke thënë se ishte një atentat ndaj mendjes, urtësisë dhe një prej shtyllave ideologjike të lëvizjes sonë kombëtare.

“Prof. Agani u përmend nga kryetari i LDK-së si një ndër figurat themelore të gjeneratës së artë të intelektualëve shqiptarë në fund të shekullit XX. Si pedagog i dalluar i Universitetit të Prishtinës, ai edukoi dhe formoi me përkushtim breza të tërë studentësh që më vonë u bënë prijës të lëvizjes për liri dhe pavarësi,” tha Abdixhiku.

Ai gjithashtu vlerësoi rolin e Aganit në themelimin e LDK-së dhe kontributin e tij në strategjinë paqësore të rezistencës kosovare, duke e përshkruar si “zërin e arsyes dhe urtësisë në ditët më të errëta për vendin.”

“Sot, në 26 vjetorin e vrasjes së tij, e kujtojmë me pietet figurën e tij madhore dhe veprën e tij. Trashëgimia që ai la pas është udhërrëfyes i përhershëm në rrugëtimin tonë për ndërtimin e një Kosove me një të ardhme më të mirë, të drejtë dhe të denjë për sakrificat e bijve më të mirë të saj,” përfundoi Abdixhiku.

Komento: