Kërkohet paraburgim ndaj dy të dyshuarve për shitblerje të narkotikëve

16:28 | 06 Maj 2025
kerkohet-paraburgim-ndaj-dy-te-dyshuarve-per-shitblerje-te-narkotikeve

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj dy të dyshuarve për shitblerje të narkotikëve.

Bëhet fjalë për E.K dhe G.B nga komuna Ferizaj, të cilët dyshohet se në lokacione të ndryshme, pa autorizim kanë poseduar me qëllim të shitjes substanca narkotike të llojit marihuanë në sasi të ndara me pesha të ndryshme si dhe substancë narkotike të llojit kokainë.

“Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më datë 05.05.2025, rreth orës 18:00, në Ferizaj, në lokacione të ndryshme, të pandehurit pa autorizim kanë poseduar me qëllim të shitjes substanca narkotike të llojit marihuanë në sasi të ndara me pesha të ndryshme si dhe substancë narkotike të llojit kokainë me peshë prej 0.4 gram, e të cilat i kishin blerë dhe paguar së bashku, në atë mënyrë që ditën kritike derisa zyrtarë policor civil kishin informacione se të dyshuarit janë duke u marrë me shit-blerjen e substancave narkotike”.

“Duke vëzhguar në Rr. “Remzi Hoxha” fillimisht identifikojnë të pandehurin G.B., të cilin e ndalojnë për kontroll dhe tek i njëjti gjendet substancë narkotike e llojit marihuanë e mbështjellur në letër të bardhë (pallomë) me peshë të përgjithshme 5.74 gram, ndërkaq në banesën ku jeton janë gjetur dhe sekuestruar edhe dy pako me rizlla (letra për mbështjellje të substancës narkotike) dhe një mulli për bluarje të marihuanës, pas disa minutash arrijnë të identifikojnë edhe të pandehurin E.K., i cili ishte nisur për tu takuar me të pandehurin G.B., me ç’ rast në Rr. “Rexhep Bislimi” e ndalojnë për kontroll dhe tek i njëjti gjendet një qese me substancë të dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë 47.6 gram”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Në këtë njoftim gjithashtu thuhet se të pandehurit që nga dje, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.

“Ndërkaq në Rr. “Hamëz Jashari” në Ferizaj, në një banesë të cilën vetëm të pandehurit kanë pasur qasje dhe të njëjtën e kanë shfrytëzuar për të fshehur dhe përgatitur substancat narkotike, pas kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë totale 13.1 gram e cila kishte qenë e vendosur në një kavanoz qelqi, substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë në dy qese najloni me peshë 1 gram, një qese substancë e dyshuar narkotike e llojit Kokainë me peshë 0.4 gram, një peshore digjitale me mbishkrim “Constant”.

“Si dhe foli alumini dhe qese najloni të zbrazëta të cilat dyshohet se kanë qenë të destinuara për paketimin dhe ndarjen e substancës narkotike me qëllim të shitjes në doza të vogla, po ashtu nga të pandehurit janë sekuestruar edhe dy telefona mobil si dhe para të gatshme në vlerë totale 198 euro,  me çka do të kryenin veprën penale në bashkëkryerje “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, thuhet tutje në komunikatë.

Komento: