Kurti kujton Fehmi Aganin: Humbja e tij, humbje e një mendjeje të ndritur kombëtare

16:42 | 06 Maj 2025
kurti-kujton-fehmi-aganin:-humbja-e-tij,-humbje-e-nje-mendjeje-te-ndritur-kombetare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar veprimtarin dhe intelektualin e shquar Fehmi Agani, në 26-vjetorin e vrasjes së tij nga forcat serbe gjatë luftës së vitit 1999.

Në një deklaratë përkujtimore, Kurti theksoi se 6 maji i vitit 1999 shënon një nga ditët më të dhimbshme për popullin shqiptar, kur regjimi serb ndaloi një tren që po udhëtonte drejt Maqedonisë dhe rrëmbeu pasagjerët, përfshirë edhe sociologun dhe politikanin Fehmi Agani. Trupi i tij u gjet një ditë më pas, pranë Lipjanit.

“Regjimi gjenocidal i Millosheviqit, në çastet e fundit të pushtetit të tij në Kosovë, intensifikoi aktet kriminale për të zhdukur mendjet e ndritura të vendit. Humbja e Fehmi Aganit nuk ishte vetëm një humbje njerëzore, por edhe një plagë e rëndë për shkencën, politikën dhe të ardhmen e kombit tonë,” tha Kurti.

Ai e përshkroi Aganin si filozof, magjistër i shkencave politike dhe doktor i sociologjisë, i cili kishte një rol kyç jo vetëm në rrafshin akademik, por edhe në historinë politike të Kosovës.

“Krimet e Serbisë nuk falen e nuk harrohen. Plagët janë të pashërueshme. Mungesa e drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare duhet të marrë fund. Lavdi për jetën, veprën dhe sakrificën e Fehmi Aganit,” përfundoi Kurti.

Fehmi Agani ishte një nga bashkëthemeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe një nga figurat më të rëndësishme të rezistencës paqësore ndaj regjimit serb gjatë viteve ’90.

Komento: