Deputetja boshnjake, Emilja Rexhepi, për FrontOnline ka reaguar ashpër pas propozimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për formimin e një qeverie nacionale, duke e quajtur si të turpshëm këtë ide, injorim ndaj komuniteteve, potencim i merzitshëm, urrejtje ndaj komuniteteve si dhe deklaratë të stilit shovinist nga kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ajo ka theksuar se ky propozim nuk i përket komunitetit që ajo përfaqëson dhe ka shprehur shqetësimin e saj për përjashtimin e grupeve joshumicë nga kjo iniciativë.
“Thirrja e LDK-së nuk na përket neve, vlen vetëm për partitë shqiptare. Sipas tyre, ne nuk jemi qytetarë të barabartë të këtij shteti dhe nuk meritojmë asnjë ulëse në atë qeveri,” ka deklaruar Rexhepi për FrontOnline duke e cilësuar këtë qëndrim si të papranueshëm dhe të dëmshëm për unitetin e Kosovës.
Ajo ka shtuar se ky veprim është i trishtueshëm dhe për të, Kosova duhet të mbetet një shtet për të gjithë qytetarët e saj, pa marrë parasysh etninë.
“Për mua, Kosova është shtet për çdo qytetar të saj, shqiptarë, boshnjakë, turq e të gjithë të tjerët,” tha ajo për FrontOnline.
Rexhepi ka kritikuar gjithashtu kryetarin e LDK-së për injorimin e plotë të komuniteteve joshumicë, duke e cilësuar këtë si një “turp për një lider të ri”.
‘’Injorimi total i komuniteteve joshumicë nga kryetari i LDK-së është turp për një lider të ri’’ tha ajo.
Rexhepi ka theksuar se deklaratat të tilla janë shoviniste për shoqërinë multietnike të Kosovës.
“Deklarata të tilla shoviniste janë të këqija për zhvillimin e shoqërisë multietnike të Kosovës.” shtoj ajo tutje.
Ajo pati një kritike të fortë për kryetarin e LDK-së, duke potencuar se nuk priste një gjë të tillë nga Abdixhiku.
“Dhe e papranueshme për popujt pakicë që e ndjejnë Kosovën shtet të tyre, nuk e prisja diçka të tillë nga një lider i ri premtues.” potencoi ajo.
Deputetja Rexhepi, deklaroi se njerëz si Abdixhiku e mërzisin.
”Njerëz të tillë më mërzitin. Një urrejtje e tillë është e pabesueshme. Katastrofë” përfundoi ajo. /FrontOnline/