Pas valës së ngjarjeve tragjike që kanë tronditur vendin që nga fillimi i vitit, eksperti i sigurisë Bedri Elezi u deklarua për FrontOnline për gjendjen aktuale të sigurisë publike në Kosovë. Ai thotë se 2025-ta po rezulton të jetë një nga vitet më të rëndë në aspektin e kriminalitetit.
“Mund të themi se në vitin 2025 kemi pasur disa deklarime rreth situatës së sigurisë publike, por realisht ajo është më e cenueshme se kurrë më parë, bazuar në statistikat deri më tani, ky vit duket se do të jetë ndër më të rëndët në aspektin e çështjeve të sigurisë’’, tha Elezi.
Sipas tij, arsyeja kryesore e kësaj gjendjeje është mos reagimi i autoriteteve përkatëse të ligjit. Ai fajëson Policinë për zbatim të dobët të urdhrave të Gjykatave, Prokurorinë për mungesë veprimi, dhe Gjykatat për dënime të buta që nuk japin efekt parandalues.
“Gjykatat nuk kanë ndarë dënime të merituara dhe për ironi janë kthyer në një lloj ‘inkurajuesi’ për krimin në Kosovë,” – tha Elezi.
Eksperti thekson se mungesa e performancës së institucioneve të rendit po përkthehet në një mungesë të thellë të sigurisë publike.
“Çdo qytetar që sheh se dorasit nuk ndëshkohen siç duhet, e përjeton këtë si një formë tolerimi. Kjo krijon kushte që individë apo grupe kriminale të ndihen të lirë të veprojnë,” – përfundon Elezi.