Ngërçi institucional në Kuvendin e Kosovës ka hyrë në një fazë edhe më të thellë, pas dështimit të njëpasnjëshëm për zgjedhjen e kryetarit të tij – tashmë për herë të 13-të.
Në përballje me këtë situatë, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, njoftoi se janë siguruar 10 nënshkrime nga deputetë të AAK-së dhe LDK-së për ta çuar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese.
Kjo lëvizje vjen si përpjekje për të zgjidhur juridikisht një krizë që ka marrë përmasa politike e institucionale, dhe që sipas opozitës po thellohet për shkak të paaftësisë apo mungesës së vullnetit politik të VV-së për të krijuar zgjidhje.
Kadrijaj theksoi se kërkesa ka të bëjë me, siç e cilëson ajo, një shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës, ku në mes të procesit të votimit për kryetarin e Kuvendit, u bë kalimi i paprecedentë nga votimi i hapur në atë të fshehtë.
“I kemi siguruar nënshkrimet për të hënën për këtë shkelje kushtetuese. Kalimi nga votimi i hapur në votim të fshehtë në mes të votimeve konsiderojmë që është shkelje ligjore dhe do t’i adresohemi Kushtetueses,” deklaroi ajo.
Sipas saj, të dielën pritet të mblidhen edhe nënshkrime të tjera, përfshirë ato nga komunitetet joshumicë dhe nga PDK, për të përforcuar legjitimitetin e kërkesës.
“E kemi rendin e ditës, i kemi marrë të gjitha transkriptat e seancave plenare. Është e përpiluar kërkesa dhe do të hartohet nga ekspertë të Kushtetutës dhe do të dërgohet në Kushtetuese të hënën,” shtoi ajo.
Baraliu: Presidentja duhej të ndërhynte – kërkesa e AAK-së është me vend, por i shkon për shtati edhe VV-së
Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve juridike dhe kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka për FrontOnline komentuar kërkesën e AAK-së për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin për ndryshimin e formës së votimit nga votim i hapur në të mbyllur për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Ai vlerësoi këtë iniciativë si të drejtë dhe të nevojshme, duke theksuar nevojën për ndërhyrje edhe nga Presidentja e vendit.
“Ka qenë dashur që vetë Presidentja të ndërhyjë. Nuk e di pse nuk ka ndërhy në këtë aspekt, sepse e ka edhe obligim kushtetues,” u shpreh Baraliu për FrontOnline, duke kritikuar mungesën e reagimit institucional në një çështje që sipas tij kërkon trajtim urgjent.
Ai shtoi se kërkesa e AAK-së është një iniciativë e mirë dhe duhet të trajtohet sa më parë, si nga Presidentja ashtu edhe nga Gjykata Kushtetuese.
“Duhet të veprohet në këtë aspekt të shihet a ka apo s’ka shkelje dhe çka duhet të bëjnë palët.” shtoi ai.
Baraliu gjithashtu theksoi se kjo kërkesë, përveç se është e drejtë në aspektin ligjor, mund t’i vijë në ndihmë edhe Lëvizjes Vetëvendosje për të fituar kohë, duke qenë se aktualisht nuk i ka votat e mjaftueshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
“Kjo kërkesë i shkon për shtati edhe VV-së për blerje të kohës sepse nuk i kanë votat për të kaluar kryetarin e Kuvendit. Para votuesve askush nuk ka ftyrë të arsyetohet për asgjë as ata të opozitës e as këta që ishin në pushtet’’ përfundoi ai për FrontOnline.
Kadri Kryeziu: Gjykata Kushtetuese brenda 60 ditëve i jep përgjigjie AAK-së
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, për FrontOnline ka komentuar kërkesën nga AAK për dërgimin në Kushtetuese të çështjes së ndryshimit të mënyrës së votimit për kryetarin e Kuvendit, nga votim i hapur në të fshehtë.
“Shumë problem është me e ditë se çka bën Gjykata Kushtetuese. Gjykata nuk merr vendim, por i merr disa rekomandime”, u shpreh Kryeziu.
Sipas tij, problemi nuk është vetëm procedural, por ka të bëjë me afatet ligjore dhe kornizën normative që duhet të reformohet për të shmangur situata të tilla në të ardhmen.
“Këtu ka të bëjë me afatet ligjore, e afati ligjor bëhet me amandamentimin e Kushtetutës. Duhet me u amandamentu rregullorja, ligji për Qeveri dhe më s’ka telashe,” theksoi ai për FrontOnline.
Kryeziu gjithashtu sqaroi se në rastet që lidhen me funksionimin e Kuvendit dhe të Qeverisë, Gjykata Kushtetuese ka afat 60-ditor për të dhënë përgjigje, sipas legjislacionit në fuqi.
‘’Përgjigjia e GJK-së për cështjet e Parlamentetit dhe Qeverisë është 60 ditë’’ përfundoi ai.
Miftaraj: Kërkesa e AAK-së në Kushtetuese i shkon për shtati VV-së për blerje të kohës edhe për 60 ditë
Ehat Miftaraj drejtor Ekzekutiv i KDI-së, për FrontOnline ka folur pas njoftimit se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), së bashku me LDK-në, do ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese çështjen e mënyrës së votimit për kryetarin e Kuvendit.
Miftaraj ka kritikuar ndryshimin e votimit nga i hapur në të fshehtë nga ana e Vetëvendosjes, duke e cilësuar këtë veprim si të papranueshëm në një shoqëri demokratike.
“Qartazi është e ditur se ndryshimi i votimit nga i hapur në të mbyllur është në kundërshtim me parimet dhe standardet e përcaktuara me rregullat dhe praktikat e mëhershme,” tha Miftaraj për FrontOnline, duke theksuar se ky hap bie ndesh me transparencën dhe llogaridhënien që kërkohen nga një proces parlamentar legjitim.
Sipas tij, nëse Kuvendi do të funksiononte mbi bazën e parimeve demokratike, një vendim i tillë nuk do të duhej të ndodhte.
“Në një shoqëri demokratike, VV nuk do të duhej të ndryshonte këtë rregull,” shtoi ai.
Megjithatë, Miftaraj shpreh skepticizëm edhe për efektin real të veprimit të AAK-së dhe opozitës në këtë rast, duke e parë si një manovër që përfiton më shumë partia në pushtet.
“Veprimi i AAK-së më së shumti i shkon për shtati VV-së, që të shtyjë sa më shumë që është e mundur, që do të nënkuptonte blerje kohe për 60 ditë për partinë në pushtet,” deklaroi ai për FrontOnline duke iu referuar afatit që ka Gjykata Kushtetuese për t’u deklaruar për çështje të tilla.