Agim Shahini kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB) ka shprehur shqetësim për këtë ndryshim, duke theksuar se, ndërsa organizata ka kërkuar liberalizimin e tregut të energjisë, ky kalim nuk është bërë në kushte të barabarta për të gjitha bizneset.
Bizneset e mëdha, që janë të lidhura me operatorët si KESCO dhe KEDS, kanë mundësinë të blejnë energji më lirë nga KEK-u, përkatësisht me 29,05 euro për megavat, ndërkohë që kompanitë e tjera, që janë të detyruara të blejnë energji nga tregu i hapur, do të përballen me çmime shumë më të larta.
“Ne kemi kërkuar që tregu energjetik të liberalizohet, por jo në këto kushte, ku bizneset nuk janë të barabarta në blerjen e energjisë elektrike. Kompanitë si KESCO dhe KEDS kanë prioritetin dhe mundësinë që të blejnë energjinë më lirë nga KEK-u, përkatësisht me 29,05 euro për megavat’’, tha Shahini.
Përveç kësaj, Shahini ka theksuar se bizneset që plotësojnë kushtet për kalimin në tregun e hapur – ato që kanë mbi 50 punonjës dhe një qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro – do të detyrohen të blejnë energjinë më shtrenjtë, gjë që do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve për konsumatorët.
‘’Kompanitë që i plotësojnë kushtet kanë më shumë se 10 milionë euro qarkullin dhe kanë mbi 50 punëtorë do të detyrohen të blejnë energjinë elektrike shumë më shtrenjtë dhe kjo do të ndikojë dukshm në rritjen e shërbimeve dhe prodhimeve si kosto më të shtrenjtë’’, deklaroi kryetari i AKB-së.