Kosovës masat pritet t’i hiqen gradualisht, thonë nga Komisioni Evropian

08:57 | 10 Maj 2025
kosoves-masat-pritet-t’i-hiqen-gradualisht,-thone-nga-komisioni-evropian

Masat ndëshkuese ndaj Kosovës do të hiqen gradualisht.

Kjo u konfirmua në një përgjigje për mediat nga Komisioni Evropian.

Nga Zyra për Shtyp e KE-së, theksohet se po punohet drejt heqjes graduale, të kushtëzuar dhe të kthyeshme të masave.

Gjithashtu, konfirmohet se kësaj faze i ka paraprirë një shkëmbim qëndrimesh mes shteteve anëtare të BE-së gjatë takimit të ministrave të jashtëm në prill, shkruan RTK.

Siç merret vesh jozyrtarisht nisja e heqjes graduale, për momentin, është më shumë simbolike se sa substanciale.

Bashkimi Evropian ka zhbllokuar funksionimin e nënkomiteteve me Kosovën dhe ka rifilluar asistencën teknike nga Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Sipas disa burimeve diplomatike në Bruksel, ky është maksimumi që BE mund të ofrojë aktualisht, pasi për heqjen e plotë të masave kërkohet pajtimi unanim i të gjitha shteteve anëtare.

Për një konsensus të tillë, thuhet se nevojiten veprime të qarta të autoriteteve të Kosovës, në përputhje me konkluzionet e dhjetorit, ku u theksua se heqja e graduale e masave do të ndodhë paralelisht me hapat konkret të autoriteteve kosovare drejt uljes së tensioneve në veri të vendit.

Komento: