Mëngjesin e sotëm janë arrestuar dy persona që dyshohet se kanë kryer vjedhje në një depo pijesh në fshatin Grabovc të Zveçanit.
“Më datë 10.05.2025, rreth orës 04:00, Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri ka pranuar një informacion nga një qytetar, i cili kishte vërejtur përmes kamerave të sigurisë se në nje depo (pijesh) në fshatin Grabovc ishin parë disa persona të dyshimtë duke kryer vjedhje. Njësitë policore janë përgjigjur menjëherë thirrjes dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes. Gjatë ekzaminimit është konstatuar se një dritare e objektit ishte hapur me forcë. ndërsa jashtë, përmes dritares së hapur, ishin hedhur disa paketime me qumësht.”
Policia njofton se në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe gjurmë gjaku dhe këto gjurmë kanë çuar te një shtëpi e pabanuar ku janë hasur një burrë dhe një grua, që dyshohet e janë autorët. Në afërsi është gjetur edhe një automjet i dyshimtë.
“Në vendin e ngjarjes janë vërejtur edhe gjurmë gjaku, që dyshohet se kanë mbetur gjatë veprimeve të personave të përfshirë në rast. Pas aktivizimit të sistemit të alarmit, dyshohet se ata janë detyruar të largohen nga objekti në mënyrë të shpejtë. Njësitë patrulluese kanë ndjekur gjurmët që dilnin nga vendi i ngjarjes, përfshirë edhe gjurmët e gjakut, të cilat i kanë çuar deri te një shtëpi e pabanuar. Aty janë hasur dy persona të dyshuar: një femër me inicialet S.M. (39 vjeçe) dhe një mashkull me inicialet E.H. (43 vjeç), të cilët dyshohet se janë autorët e këtij rasti. Në afërsi të vendit të ngjarjes është gjetur një automjet i dyshimtë, i cili pas verifikimeve rezultoi të jetë në pronësi të personit të dyshuar E.H.”
Të dyshuarit janë dërguar në mbajjte për 48 orë.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për sjelljen e personave para organeve të drejtësisë dhe garantimin e sigurisë publike. Ftojmë qytetarët të vazhdojnë të raportojnë çdo rast të dyshimtë në linjen zyrtare të Policisë 192. Çdo informacion është i rëndësishëm dhe do të trajtohet me konfidencialitet. Bashkëpunimi i qytetarëve është i domosdoshëm për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në komunitet.”