Gjykata Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore duke caktuar kështu masën e paraburgimit ndaj të pandehurit B.K., i cili është i dyshuar për shpërthimin ndaj veturës së ushtruesit të detyrës të drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Osman Hajdari
Gjykata ka deklaruar se ky vendim është marrë për shkak të dyshimit të bazuar se i dyshuari ka kryer veprat penale Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, Zjarrvënia dhe veprën penale Armëmbajtje pa leje.
Tutje në njoftim shtohet edhe se veprime të tilla, të vënies së eksplozivit në veturën e personit tjetër, në zona me qarkullim të dendur të njerëzve, pa motive personale vetëm me motive të pagesës, e bëjnë të pandehurin B.K. potencialisht të rrezikshëm për sigurinë e përgjithshme dhe për përsëritjen e këtyre veprave penale apo veprave penale më të rënda.
Komunikata:
Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit B.K. për shkak të veprave penale Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, Zjarrvënia dhe Armëmbajtje pa leje
Prishtinë, 10 Maj 2025 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit B.K., në kohëzgjatje prej një (1) muaji, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, Zjarrvënia dhe veprën penale Armëmbajtje pa leje.
Gjyqtari i procedurës paraprake, pas seancës dëgjimore vlerësoj se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin B.K., pasi ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale të lartëpërmednura.
Gjykata konstatoj se në këtë fazë të procedurës ekzistojnë rrethana që tregojnë se ekziston rreziku i ikjes së tij, ku përdorimi i eksplozivit në një zonë me qarkullim të madh të njerëzve, përbën rrezik të lartë për jetën e njerëzve dhe sigurinë publike, mund të nxitet motivi tek i pandehuri për tu arratisur nëse lihet në liri. Gjykata vlerësoj se nga natyra dhe mënyra e kryerjes së veprave penale, rezulton se i pandehuri B.K. ka vepruar në mënyrë të planifikuar, të qëllimshme dhe me motiv financiar, gjë që e bënë të dukshëm rrezikun e përsëritjes së veprave penale. Veprime të tilla, të vënies së eksplozivit në veturën e personit tjetër, në zona me qarkullim të dendur të njerëzve, pa motive personale vetëm me motive të pagesës, e bëjnë të pandehurin B.K. potencialisht të rrezikshëm për sigurinë e përgjithshme dhe për përsëritjen e këtyre veprave penale apo veprave penale më të rënda, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme, për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë