Baraliu për moskonstituimin e Kuvendit: Papjekuri politike, po tregojmë që nuk dimë ta mbajmë shtetin

14:07 | 11 Maj 2025
baraliu-per-moskonstituimin-e-kuvendit:-papjekuri-politike,-po-tregojme-qe-nuk-dime-ta-mbajme-shtetin

As pas tentativës së 14-të nuk është arritur konsitutimi i Kuvendit të Kosovës.

Mospajtimet mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe opozitës rreth emrit të Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit e kanë futur vendin në një ngërç politik që nuk po i shihet fundit.

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, në një përgjigje për IndekOnline vlerëson se thirrja e seancës çdo 48 orë mund të vazhdojë në pafundësi.

Mirëpo sipas tij, për të mos u bërë ‘gaz i botës’, partitë duhet të arrijnë as më parë një marrëveshje politike.

“Duhet të arrihet marrëveshje politike dhe jo të shkohet në zgjedhje. Është naivitet dhe infantilitet politik të mendosh se dikush edhe mund të këtë rritje vote edhe pas kësaj krize të thellë institucionale”, ka thënë Baraliu për IndekOnline.

Ai ka fajësuar të gjitha partitë politike për mosgatishmëri për të mos ofruar zgjidhje.

“Po dëshmojmë qe ende nuk jemi pjekuar dhe as emancipuar as politikisht as demokratikisht, qe te unifikohemi kur duhet dhe po tregojmë qe nuk po dimë ta mbajmë dhe zhvillojmë shtetin”, ka shtuar Baraliu.

Ai ka mirëpritur gatishmërinë e presidentes Osmani për t’i pritur partitë politike për të diskutuar rreth daljes nga kriza politike, mirëpo sipas tij, mundësitë e saj për të ndihmuar janë vetëm të karakterit vullnetar.

“Partitë politike janë ato që duhet të bëjnë zgjidhje” ka thënë Baraliu.

Pas dështimit të votimit të Komisionit, Kryesuesi Avni Dehari e ka ndërprerë seancën, duke caktuar seancën për 13 maj, të martën në ora 10:00.

Albulena Haxhiu vazhdon të mbetet kandidatja e VV-së për Kryetare Kuvendi.

PDK dhe AAK i kanë kërkuar vazhdimisht VV-së që ta ndërrojë emrin, teksa janë përmendur edhe emra nga kjo parti që do të mund t’i votonin, ndërsa LDK ndërkohë ka thënë se nuk do ta votojë asnjë propozim të kësaj partie.

Komento: