Lidhjet “familjare” mes pronarit të NOA-s Gentian Sula dhe drejtuesve të kompanisë “EFT”, dega në Shqipëri, çojnë të Vuk Hamoviç, një biznesmen serb, i njohur si ‘lojtari kryesor’ i tregtimit me energji elektrike në Ballkan, që hetohet për transaksione të dyshimta.
Një skemë e përgatitur mirë dhe më shumë akterë, dyshohet se është prapavija në importet energjisë elektrike për Kosovën gjatë viteve 2023-2024. Përveç kompanisë nga Shqipëria, Noa Energy Trade, të cilës iu mundësua monopoli nga KESCO, hulumtimi i realizuar nga Buletini Ekonomik, ka zbuluar edhe kompani tjera që dyshohet se ishin pjesë e skemës së importeve.
Kompania me origjinë serbe “EFT Group”, për 20 vite kishte mbajtur primatin në furnizimin e Kosovës me energji elektrike nga importi. Kjo kompani ka pronar Vuk Hamoviç, një biznesmen serb, i njohur si “lojtari kryesor” i tregtimit me energji elektrike në Ballkan.
Hulumtimi zbulon “lidhjet e shkurtra”, mes drejtuesve të degës së kësaj kompanie në Shqipëri dhe kompanisë shqiptare Noa Energy Trade, e cila është importuesi kryesor i energjisë elektrike për Kosovën gjatë viteve 2023-2024.
Sipas dokumenteve të siguruara nga Qendra Kombëtare e Bizneseve në Shqipëri, drejtues i degës se kompanisë “EFT” në Shqipëri është Mirsad Uruçi, një biznesmen shqiptar i njohur për tregtim me energji elektrike që nga viti 2017. Por prezenca e EFT-së në Shqipëri daton që nga viti 2002, me drejtues Enver Uruçi, babai i Mirsad Uruçit.
Sipas dokumenteve që posedon Buletini Ekonomik, Enver Uruçi në vitin 2002 kishte kërkuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Tiranë (në atë kohë në Shqipëri, regjistrimi i kompanive është bërë në Gjykatë), regjistrimin si person juridik të Zyrës së Përfaqësimit në Shqipëri të Shoqërisë “Energy Financing Team Limited”.
Në këtë vit, shoqëria “EFT” u regjistrua si “shoqëri tregtare angleze”, por nga hulumtimi del se pronari i vërtetë është Vuk Hamoviç, një biznesmen serb me të kaluar të dyshimtë dhe i hetuar nga disa shtete për transaksionet në tregtimin me energji elektrike. Në vitin 2017, “EFT” kishte ndërruar statusin juridik në Shqipëri duke u inkorporuar e regjistruar në Shqipëri si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar dhe me administrator, Mirsad Uruçin.
“Fijet e holla” që lidhin EFT-n me NOA-n
Kompania EFT Group ka degë të ndryshme në të gjithë rajonin por edhe në shtete të ndryshme evropiane. Një të tillë e ka edhe në Kosovë, ku figuron e regjistruar në Agjencinë për Regjistrim të Bizneseve (ARBK), që nga viti 2015. Drejtor menaxhues për degën e Kosovës është personi me emrin Arben Aliaj, ndërsa personi kontaktues figuron Mirsad Uruçi.
“EFT” ka licencë aktive edhe nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRrE) për tregtim me energji elektrike për periudhën 2021-2026. Përkundër licencës, gjatë këtyre viteve, kjo kompani nuk shkëmbeu fare energji elektrike me Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO).
Buletini Ekonomik ka provuar të kontaktojë me drejtuesit e kompanisë për Shqipëri, për t’i pyetur se a kanë marrë pjesë në ankandet e realizuara nga KESCO, si dhe për lidhjet familjare me pronarin e kompanisë Noa Energy Trade, Gentian Sula. Por përkundër premtimit fillestar për një bisedë me drejtorin e kompanisë Mirsad Uruçin, nga kompania nuk janë lajmëruar në numrin kontaktues.
Nga hulumtimi del se ekziston një “lidhje familjare” mes pronarit të “Noa Energy Trade”, Gentian Sula dhe familjes Uruçi.
Në bazë të dokumenteve të analizuara, në kompaninë EFT, përveç Mirsad Uruçit, ka punuar edhe Suada Uruçi, e cila është pjesë e familjes Uruçi.
Suada Uruçi është në lidhje bashkëshortore me Jonian Antonin, një biznesmen tjetër i njohur në industrinë imobiliare në Shqipëri. Ndërsa, motra e Jonian e Antonit, Besiana Antoni, është në lidhje bashkëshortore me Gentian Sulan.
Ky i fundit e ka konfirmuar lidhjen familjare me familjen Uruçi, në një bisedë për Buletini Ekonomik, por ka mohuar të ketë pasur çfarëdo bashkëpunimi me kompaninë EFT, dega në Shqipëri. Fillimisht, kur është pyetur se a ka njohje me Mirsad Uruçin, Sula ka qenë jo shumë i qartë në përgjigje.
“O zotëri, unë njoh gjithë Shqipërinë, gjithë Kosovën. Me pyetet për EFT-në, apo për Mirsad Uruçin?”, ka pyetur ai, derisa ka dhënë një version tjetër, kur është ballafaqur me pyetjen tjetër: “Po Mirsadi është Drejtor Menaxhues të EFT-ja, për ata ju pyetem?”.
“Ok, atëhere, asnjë bashkëpunim nuk e kemi me këtë kompani. A të duhet me shumë sqarim?”, ka thënë Sula.
Ai ka qenë më konkret vetëm pasi mediumi ka ofruar dëshmi nga rrjetet sociale, ku Sula shihet në shoqëri të Jonian Antonit dhe Suada Uruçit. Pas kësaj, ai ka konfirmuar lidhjen familjare, por duke potencuar në vazhdimësi se nuk bashkëpunon me EFT-në, të cilës i është referuar si “kompani me origjinë serbe”.
Kur është pyetur direkt, a keni lidhje familjare me familjen Uruçi, përkatësisht me Suada Uruçin, Sula është shprehur: “Po se kam unë, e ka vëllai i gruas sime, e ka nuse”.
“E para njëherë Suada është nuse e kunatit tim. E dyta, më bëre një pyetje, a punoj me EFT-në. EFT-ja nuk është Mirsad Uruçi, ai është një nga drejtuesit e EFT-së. E treta, unë marrëdhëniet me Mirsadin i kam të ftohta personalisht, për shkak të konkurrencës që kemi, do ti më transparente që po të përgjigjem. Nuk kam marrëdhënie fare. Tani, a shkëmbej unë energji me këtë kompani. Përgjigja ime është zero. S’kam pasë asnjë kontratë me EFT-në, s’kam çfarë të të them më tepër në raport me EFT-në. Nëse ju doni të thoni që EFT-ja i shet Gentianit, nuk ka problem, duhet ta vërtetoni me letra”, është shprehur ai.
Gjatë bisedës, Sula disa herë ka potencuar se nëse gjeni çfarëdo dëshmie për bashkëpunimin NOA me EFT, të publikohet menjëherë, mirëpo nuk ka dhënë përgjigje në asnjë rast kur është pyetur se me cilët prodhues ka bashkëpunuar gjatë viteve 2022-2024.
“E para ne japim përgjigje për aq sa na lejojnë kontratat, sepse janë çështje konfidenciale”, ka thënë shkurt ai.
Këtë çështje nga kompania NOA nuk e kanë sqaruar as me shkrim, edhe pas insistimit disaditor nga mediumi. Në pyetjen se kush janë prodhuesit përmes të cilëve keni blerë energji elektrike gjatë viteve 2023-2024, ata kanë dhënë sërish përgjigje përgjithësuese.
“Ne operojmë me një kombinim kontratash afatshkurtra, afatmesme, dhe afatgjata varësisht nga nevojat e tregut dhe kërkesat e klientëve tanë. Lloji i kontratës përcaktohet nga dinamika e tregut, luhatjet sezonale dhe parashikimet për konsum”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga NOA.
Të dhënat që ka siguruar Buletini Ekonomik nga Dogana e Kosovës tregojnë se importi i energjisë elektrike për vitin 2024, ka ardhur përmes linjave të transmisionit nga Mali i Zi dhe Maqedonia, por burimet në këtë institucion thonë se jo domosdoshmërisht, origjina e produktit është nga këto vende. Kjo për shkak të specifikave që ka energjia elektrike si produkt. “Ne pranojmë raporte nga institucionet përkatëse rreth importit të energjisë elektrike, pasi energjia elektrike nuk është produkt fizik, si në rastin e mallrave të ndryshme”.
‘Kompleksiteti’ i pronësisë së EFT Group
Në Qendrën Kombëtare të Biznesit të Shqipërisë (QKB), kompania “EFT Tirana”, figuron se është në pronësi të kompanisë “EFT International Investments Holdings Limited”, për të cilën thuhet se është “një shoqëri e themeluar dhe që funksionon sipas ligjeve të Mbretërisë së Bashkuar”.
Të dhënat publike tregojnë se të gjitha degët e EFT-së në Evropë drejtohen nga shtetas me origjinë nga Serbia. Kështu, ortak i kompanisë në Angli është shtetasi serb Svetislav Bulatovic, rezident në Serbi. Ndërsa, drejtor i kompanisë është shtetasi Zoran Ivkovic, po ashtu rezident në Serbi. Nga ana tjetër, ekziston edhe dega e EFT AG (The Energy Financing Team), me seli në Zvicër me veprimtari tregtimin e energjisë elektrike.
EFT zvicerane, EFT AG, ka themeluar themeluar me datën 20.03.2009 si ortake e vetme kompaninë EFT Albania. EFT Albania ka marrë licencë nga Enti Rregullator i Energjisë në Shqipëri me datën 14.11.2014 për tregtim me energji elektrike. Ndërkaq, me datën 08.04.2011, shoqëria zvicerane i shet EFT-në shqiptare shoqërisë qipriote EFT Investment Limited. Me datën 26.06.2016, pronësia i kalon shoqërisë EFT INVESTMENTS (qipriote). Kjo shoqëri ështe transferuar në Mbretërinë e Bashkuar me datën 3.06.2016.
Por, të gjitha degët e EFT Group hyjnë nën ‘ombrellën’ e shoqërisë zvicerane EFT AG ku themelues e drejtues është personalisht biznesmeni Vuk Hamoviç. Ai figuron si themelues i EFT Group edhe në uebsajtin zyrtar të kompanisë.
Historia e Vuk Hamovic?
Një artikull i mediumit serb Krik.rs, që lidhet me rrjedhjen masive të të dhënave të njohur si Panama Papers të vitit 2016, biznesmenit serb Vuk Hamoviç i referohet si “ndërmjetësuesi i energjisë elektrike në Ballkan”. Emri i tij përmendet në mesin e disa prej biznesmenëve serb, për evazion fiskal, që u publikua pas rrjedhjes së të dhënave ku përfshihen politikanë e biznesmenë, si pjesë e skemës për shmangie tatimore.
Të dhënat e publike, e përshkruajnë Hamovic-in si pasardhësin e Rade Hamovië, një gjeneral i KOS-it jugosllav me origjinë nga Bosnja e Hercegovina, i cili pas Luftës së Dytë Botërore, shërbeu si oficer i sigurimit jugosllav.
Sipas Projektit për “Raportim të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit”, thuhet se kompania e Hamoviç për tregtim me energji elektrike ka tërhequr vëmendjen e prokurorëve dhe hetuesve në shumë vende. Hamoviç pershkuhet si: “Një manjat në fushën e energjetikës, i cili tërë përvojën e tij në drejtimin e kompanive shtetërore të energjetikës jugosllave, pas shpërberjës së vendit të tij, e përdori për tu pasuruar vet”.
“Me anë të grupit të tij afarist, organizoi tregtimin e energjisë dhe financimin e borxheve të ndërsjella në mes të kompanive të sapoformuara në shtetet që dolën nga shpërberja e Jugosllavisë e më gjerë në regjion”.
Sipas OLAF, Hamoviçi prijetari i “rrjetit ballkanik të energjetikës”
Shitblerja e energjisë elektrike në Kosovë, sidomos përmes importit, ka qenë nën llupën e hetuesve evropian, që ka rezultuar me një raport të vitit 2012 të Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), i cili është publikuar në atë kohë nga organizata “Çohu”.
Deri në vitin 2012, kompanitë serbe, kanë qënë përfituese të afro 400 milionë eurove vetëm nga KEK-u, kryesisht përmes importit të energjisë elektrike. Gjatë viteve 2006-2013, Kosova kishte importuar energji elektrike në vlerë 317 milionë euro, prej nga, 142 milionë euro, vetëm përmes kompanisë “Energy Financing Team – EFT”.
Në raportin e OLAF-it përmenden disa kompani si ‘lojtarët kryesor’ në tregtimin me energji elektrike në vendet e Ballkanit. Të gjithë tregtarët e vegjël mund të kenë qasje në rrjetin ballkanik të energjetikës vetëm nëse arrijnë bashkëpunime me këto kompani.
Në dy raste përmendet edhe Vuk Hamoviç, kompania e të cilit printe për tregtim me energji elektrike për Kosovën deri në vitin 2012, si dhe ngriten dyshime për transaksione të dyshimta.
Konkretisht, sipas organizatës Çohu, OLAF gjeti lidhje të dyshimta te tenderët e kompanive serbe të importit të energjisë, që lidheshin me emrat “Rudnap” me seli në Beograd, “Geni”, kompani sllovene, dhe kompanisë “EFT” që ka seli në Londër, por që rrënjët i ka në shtetin serb. Për hetuesit evropian mes KEK-ut e kompanive serbe aso kohe janë kryer transaksione të dyshimta. Aty thuhet se për këtë është përdorur “Artesia Bank” me seli në Greqi, ku përfitues ka qenë biznesmeni Vuk Hamoviç, e në këtë bankë kanë përfunduar pagesat për firmat “EPCG”, “EFT” dhe “Rudnap”, që sipas “OLAF”-it konsiderohen si rrjeti ballkanik i energjetikës. Poashtu, siç e citon “Çohu”, raportin e OLAF-it, dyshohet për lidhje ndërmjet “EFT”-së dhe “Rudnap”, të cilat udhëhiqen nga një grup i njëjtë i biznesmenëve, si Vuk Hamoviç, Vojin Lazareviç e James Nye. /Buletini Ekonomik/