Zgjerimi në Ballkanin Perëndimor është përsëri një nga prioritetet e BE-së, tha presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa në një intervistë për Euronews.
Costa pritet të nisë një tur takimesh në rajon duke nisur nga dita e martë.
Costa është përpjekur të sigurojë vendet kandidate të BE-së në Ballkanin Perëndimor duke thënë se stabiliteti dhe prosperiteti i ardhshëm i kontinentit varet nga zgjerimi i bllokut.
Duke folur përpara një turneu në rajon, Costa u premtoi atyre se BE ishte e përkushtuar për të rinisur procesin e pranimit, i cili ka ngecur kohët e fundit, pjesërisht për shkak të hezitimit të shteteve anëtare.
“Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka përshpejtuar procesin e pranimit për Ukrainën dhe Moldavinë, kështu që nuk është e drejtë që vendet e Ballkanit Perëndimor të tejkalohen nga Ukraina dhe Moldavia, dhe kjo do t’i shtyjë ato të ecin më shpejt me reformat”, tha ai për Euronews.
Ndalesa e parë e presidentit të Këshillit Evropian do të jetë Serbia, pasuar me Bosnjë-Hercegovinën, Malit të Zi dhe në Kosovë të mërkurën. Më pas ai do të vizitojë Maqedoninë e Veriut , ndërsa ndalesa e tij e fundit do të jetë Shqipëria, ku do të marrë pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian të premten në Tiranë.
Institucionet evropiane shpesh kanë përcaktuar vitin 2030 si datën e synuar për anëtarësimet e para në BE, veçanërisht ë Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Megjithatë, Brukseli tani po flet vetëm për Shqipërinë dhe Malin e Zi.
“Nuk kam një datë të caktuar. Pse 2030? Dhe pse jo më parë? Anëtarësimi është një proces i bazuar në meritë. Nëse vendet i kryejnë reformat, ato mund të bashkohen edhe para vitit 2030. Shqipëria dhe Mali i Zi janë qartësisht më të përparuar se vendet e tjera”, tha Costa.
Megjithatë, lufta e Rusisë në Ukrainë ka çuar në një ringjallje të tensioneve në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në lidhje me tensionet në Bosnjë dhe midis Serbisë dhe Kosovës