Saga e Kuvendit/ AAK-ja e dërgon në Kushtetuese votimin e kryetarit të Kuvendit, Osmani thërret takime konstultimesh

07:59 | 13 Maj 2025
saga-e-kuvendit/-aak-ja-e-dergon-ne-kushtetuese-votimin-e-kryetarit-te-kuvendit,-osmani-therret-takime-konstultimesh

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së votimit të kryetarit të Kuvendit në seancën konstituive, duke e konsideruar këtë procedurë si në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

AAK ka kërkuar nga Gjykata që kjo çështje të trajtohet me prioritet, për shkak të krizës institucionale që ka bllokuar formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare.

Kërkesa e AAK-së është përkrahur politikisht edhe nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), të cilat gjithashtu kanë shprehur revoltën e tyre për mënyrën se si është zhvilluar procesi i votimit për kryetarin e Kuvendit, duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën dhe përputhshmërinë e tij me aktin më të lartë juridik të vendit.

Në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, partitë opozitare kanë kërkuar që të pezullohen seancat e mëtejme parlamentare, ndërsa theksojnë se vetëm një interpretim i qartë juridik mund t’i japë zgjidhje ngërçit aktual politik.

Ndërkohë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të fillojë një seri konsultimesh rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit me 15 maj. Ftesat tashmë janë dërguar parive politike.

 

 

Kadrijaj: Votimi i fshehtë për kryetar të Kuvendit është antikushtetues – jemi në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka deklaruar se partia e saj e ka konsideruar antikushtetues votimin e kryetarit të Kuvendit në mënyrë të fshehtë dhe për këtë arsye i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Sipas saj, AAK ka kërkuar që kjo lëndë të trajtohet me prioritet për shkak të situatës politike të krijuar pas zgjedhjeve.

“Ne kemi konsideruar antikushtetuese dhe për këtë jemi drejtuar te Gjykata Kushtetuese. Nga ajo kemi kërkuar që lëndën ta trajtojnë me prioritet dhe shohim se si do ta trajtojnë. Ne jemi në pritje,” ka thënë Kadrijaj për FrontOnline.

Ajo ka kritikuar kryesuesin e Kuvendit, Avni Deharin, duke i akuzuar se po vepron në përputhje me direktiva politike nga Vetëvendosje.

“Dehari gjithmonë po vepron me direktiva të VV-së. Se si do të rrjedhë situata tani, nuk e di,” u shpreh Kadrijaj.

AAK, ndonëse ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese pezullimin e seancave parlamentare deri në një vendim përfundimtar, thotë se nuk do të bojkotojë seancat  e Kuvendit.

“Do të marrim pjesë në seancë, por kërkuam nga Gjykata Kushtetuese që t’i pezullojë seancat. Por derisa nuk ka vendim nga Gjykata, ne do të marrim pjesë,” shtoi ajo për FrontOnline.

Kadrijaj gjithashtu theksoi se zgjidhja e ngërçit politik dhe formimi i institucioneve mund të bëhet vetëm përmes një marrëveshjeje politike ndërmjet partive.

“Qeveria dhe kryetari zgjidhen me një marrëveshje politike,” përfundoi ajo.

 

Deputeti i LDK-së: Nuk mund të ketë asnjë lëvizje, me veprime të njëjta

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alban Zogaj, ka folur lidhur me ligjshmërinë e votimit të fshehtë për kryetarin e Kuvendit të Kosovës, çështje e dërguar në Kushtetuese nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ai thotë se nuk mund të ketë lëvizje me veprime të njëjta.

“Nuk mund të ketë asnjë lëvizje, me veprime të njëjta! Dhe deri më tani nuk po shohim që ka ndonjë tentim serioz nga partia e parë, për të ndryshuar rrethanat politike,” tha Zogaj për FrontOnline, duke iu referuar qëndrimit pasiv të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë proces.

 

 

Spahiu: Kurti mund ta formojë Qeverinë, por duhet ta lëshojë dorën pa– situata po u konvenon të gjithëve

Analisti politik Nexhmedin Spahiu për FrontOnline ka komentuar ngërçin politik pas zgjedhjeve dhe mungesën e qartësisë rreth formimit të institucioneve të reja, duke e cilësuar si një situatë që po u përshtatet të gjitha palëve. Ai thekson se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mundësi për të formuar Qeverinë, por se po refuzon të bëjë lëshime që do ta mundësonin këtë proces.

“Vështirë është të dihet se çka mundet me bërë Kurti. Nuk mundesh me parashiku sepse gjithçka mundet me ndodhë,” tha Spahiu në një intervistë për media.

Sipas tij, Kurti ka ende mundësi reale për të ndërtuar shumicën e nevojshme parlamentare, por për ta arritur këtë duhet të jetë më fleksibil në qëndrimet e tij.

“Kurti ka mundësi me formu Qeverinë. Me lëshu pak dorën dhe pazarin dhe pak e ul krenarinë, por pse nuk po e bën këtë nuk e di,” u shpreh Spahiu për FrontOnline.

Ai shton se vakumi institucional që është krijuar pas zgjedhjeve po i shkon për shtati shumicës së aktorëve politikë dhe institucionalë.

“Kjo situatë po iu konvenon të gjithëve sepse të gjithë po përfitojnë pikë për zgjedhjet e ardhshme. Deputetët po paguhen si deputetë por s’po e bëjnë punën, ngjashëm edhe ministrat dhe Qeveria në detyrë ngjashëm po vepron. Po i përshtatet të gjithëve,” tha ai.

 

Komento: