Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga e enjta do të fillojë konsultimet me partitë politike në përpjekje për të gjetur një zgjidhje rreth konstituimit të Kuvendit.
Osmani pritet të fillojë një seri konsultimesh me liderët e partive rreth konstituimit të Kuvendit, që ka dështuar tash e një muaj. Në një takim synon t’i mbledh liderët e partive shqiptare, teksa në një takim tjetër ata të minoriteteve.
Pjesëmarrjen në takim deri më tani e kanë konfirmuar liderët e partive që deri vonë kanë qenë në opozitë, derisa nga partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, ende s’janë përgjigjur nëse do t’i shkojnë Osmanit në takim.
Përgjigje nuk ka dhënë sot as kreu i VV-së, Albin Kurti. Kurti para gazetarëve nuk e ka thënë asnjë fjalë, i pyetur se a do të jetë prezent në takimin e së enjtes të thirrur nga presidentja Osmani,Kurti u pyet nga gazetarët teksa po hynte në ndërtesën e Kuvendit, ku pas pak minutash do do të bëhet përpjekja e 15-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Seanca konstituive, e ndërprerë të dielën do të vazhdojë në orën 10:00. Kjo do të jetë seanca e 15-të çdo 48 orë që nga 15 prilli, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Në seancat e fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka tentuar ta ndryshojë formën e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, në votim të fshehtë. Secilën herë kjo është kundërshtuar nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, të cilat kanë refuzuar të propozojnë anëtarë Komisioni.
Nga VV-ja kanë thënë se nuk heqin dorë nga emri i Albulena Haxhiut, si e propozuar për këtë pozitë. Sinjale po ashtu nuk ka se do të hiqet dorë nga propozimi për ndryshimin e formës së votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. E propozuara për këtë pozitë, Albulena Haxhiu, në asnjë nga votimet s’ka arritur të marrë mbi 57 vota. Për t’u zgjedhur i nevojiten 61.
Vetë Kurti, dy ditë më parë ka thënë se në Kosovë nuk ka krizë institucionale.
Sipas tij në Kosovë ka vetëm njëfarë vakumi kushtetues.
“Në Kosovë nuk kemi krizë institucionale dhe as politike. Në Kosovë kemi një far vakumi kushtetues, të cilin mbase nuk do të duhej ta kishim marrë vesh fare. Nuk kemi krizë sepse mekanizmat e shtetit demokratik funksionojnë, organet e rendit dhe të sigurisë veprojnë, ligjet respektohet e zbatohen anë e mban republikës sonë. Vetëm Kuvendi i ri për legjislaturën e nëntë ende nuk është konstituar, sepse Kushtetuta e Kosovës nuk e parasheh se çfarë duhet bërë kur propozimi për kryetar të Kuvendit nuk i merr 61 vota”, ka thënë Kurti të shtunën.