Sot, për të 15-në herë deputetët e Kosovës do të mblidhen në përpjekje për konstituimin e Kuvendit.
Deputetja nga radhët e AAK-së Time Kadriaj tha se Vetëvendosje e ka të drejtën e propozimit për kryetar të Kuvendit, por njëkohësisht duhet t’i sigurojë votat.
Ndërsa foli dhe rreth ftesës të cilën ua bëri presidentja Vjosa Osmani partive politike. Kadrijaj tha çdo diskutim në këtë bllokadë, është i mirëseardhur për AAK-në.
Ndërsa pohoi se presin nga presidentja që të jap ndonjë alternativë, për daljen nga kjo bllokadë.
“Ne kemi pranuar çdo diskutim në këtë situatë dhe në këtë bllokadë është i mirëseardhur. Do të shohim si do të shkojë rrjedha e bisedimeve dhe të shohim se çfarë po propozon presidentja, të shohim dhe qëndrimet e partive të tjera. Në fakt presidentja duhet të jap ndonjë alternativë, është presidente e vendit”, tha ajo.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e formimit të komisionit për votim të fshehtë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës. Kadriaj tha se kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që ta trajtojë me urgjencë.
“Kemi kërkuar të trajtohet me urgjencë, me prioritet. Nuk i caktojmë ne afatet e Gjykatës Kushtetuese se kur do t’i trajtojë. E kemi bërë kërkesën në gjykatë kushtetuese po presim”, tha ajo.