Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami pas dështimit të 15-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka thënë se shpreson që partitë e tjera në takimin me presidenten Vjosa Osmani ta shqyrtojnë propozimin e kreut të LDK për qeveri tranzicionale.
“Nuk kemi propozim tjetër, jo që ne nuk kemi propozim tjetër, por siç duket situata politike në Kosovë nuk ka ndonjë alternativë tjetër për arsyen e thjeshtë që as LVV dhe koalicioni i tyre nuk i kanë votat. Ne e kemi pranuar me sinqeritet se as partitë e deridjeshme opozitare nuk i kanë numrat. Për të ecur përpara për ta zhbllokuar situatën kjo është alternativa të cilin ne e kemi vendosur mbi tavolinë. Shpresojmë se partitë politike të jenë prezentë në takimin e ftuar nga Presidentja dhe në qoftë se janë kundër propozimit tonë, besoj që janë ata që duhet të lëvizin.”, ka thënë ajo.
Bajrami ka thënë se i vjen keq që sërish sot dështoi seanca edhe këtë herë.
“Na vjen shumë keq që pa dashjen tonë jemi bërë aktorë të serialit më të padëshirueshëm politik në Kosovë.”< tha ajo.
Bajrami akuzoi LVV-në për bllokim të procesit.
“Unë besoj se sikur ata të kishin pasur interes që ta zhbllokonin situatën do ta zhbllokonin qe një kohë. Ka pasur parti parlamentare që kanë thënë që nuk kanë vota për zonjën Haxhiu por kanë për kandidatët e tjerë. Të cilët mund t’i propozojnë . Ata janë shkaktari i bllokadës. Atyre u mungon dhe u ka munguar vullneti ndërkohë që për pjesëmarrje në takim duhet të flasin ata vetë.”, tha ajo.