Kosova nuk është përfshirë në agjendën e ministerialit të Këshillit të Evropës, takim ky që mbahet në Luksemburg.
Kjo është bërë e ditur nga zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti.
“Megjithëse të gjitha standardet janë përmbushur dhe secili kriter është plotësuar, anëtarësimi i Republikës së Kosovës nuk është përfshirë në agjendën e ministerialit të Këshillit të Evropës, i cili mbahet sot dhe nesër në Luksemburg”.
“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të realizohet për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve të saj dhe jo të trajtohet si mjet pazari apo levë presioni. Ky trajtim është një sinjal shqetësues për rajonin, veçanërisht në kontekstin e ri pas takimeve të liderëve politikë dhe fetarë të Serbisë me presidentin Putin”.
“Megjithatë, procesi i anëtarësimit është i pakthyeshëm dhe institucionet e Republikës së Kosovës vazhdojnë komunikimin me shtetet anëtare, duke ecur me vendosmëri drejt anëtarësimit si shteti i 47-të i Këshillit të Evropës, sipas opinionit zyrtar të Asamblesë Parlamentare të kësaj organizate”, shkruan ai
Republika e Kosovës, aplikoi zyrtarisht për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës në prill të vitit 2022.