Analistët: Takimi i Kurtit me QUINT nuk sjell zhbllokim të Kuvendit

17:51 | 13 Maj 2025
analistet:-takimi-i-kurtit-me-quint-nuk-sjell-zhbllokim-te-kuvendit

Dje, kryeministri në detyrë, Albin Kurti u takua me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe përfaqësuesin e BE-së në Kosovë.

Ai kërkoi mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke theksuar se janë përmbushur të gjitha kriteret.

Nga ana tjetër, diplomatët perëndimorë – përfshirë SHBA, BE, Britaninë dhe Gjermaninë – kërkuan formimin e menjëhershëm të institucioneve pas dështimeve të njëpasnjëshme për konstituimin e Kuvendit, duke theksuar se një qeveri stabile është kyçe për progresin demokratik dhe integrimin euroatlantik të Kosovës

 

Ish-ambasadori Dedaj: Kurti po e dhun*on shtetin për ta mbajtur pushtetin

Ish-ambasadori, Gjergj Dedaj është deklaruar për “Front Online” rreth takimit të djeshëm mes ambasadorëve të QUINT dhe liderit të VV-së, Albin Kurti.

Sipas Dedajt, Kurti nuk i ka votat e nevojshme për të formuar institucionet, por po e zvarrit qëllimisht procesin për të mbetur në pushtet.

“Kurti nuk i ka numrat dhe, si diktator, po i dhunon institucionet dhe votuesit e Kosovës”, tha Dedaj për FrontOnline.

Dedaj e konsideron Kurtin përgjegjës për izolimin e Kosovës, vendosjen e sanksioneve dhe përkeqësimin e raporteve me aleatët strategjikë si SHBA, BE dhe NATO.

‘’Albin Kurti për të ruajtur pozitën e kryeministrit dhe pushtetin e ka dështuar shtetin dhe e ka sjellë Kosovën nën sanksione, e ka izoluar dhe e ka armiqësuar me të gjithë partnerët historik dhe strategjik’’, deklaroi Dedaj.

Dedaj nuk pret që Kurti të bëjë kompromis as pas takimit me ambasadorët e QUINT-it dhe vlerëson se qëllimi i tij është të fajësojë opozitën për bllokadën institucionale, për ta çuar vendin në zgjedhje të reja.

‘’Si dogmat neokomunist, Kurti nuk e besoj se nga takimi me ambasadorët e QUINT, do të ndryshoj as propozimin për kryetare të Kuvendit të Kosovës te Albulena Haxhiut  ai me mashtrime për të cilat është profesionist dhe me akuza  do ta fajësoj ish opozitën për mos formimin e institucioneve dhe ne fund ta dërgoj vendin ne zgjedhje të reja!’’, përfundoi Dedaj.

 

Arifi: Takimi i Kurtit me QUINT nuk do të ndikojë në zhbllokimin e Kuvendit

Ish-kryenegociatori për dialogun Kosovë-Serbi, Avni Arifi, ka folur për “Front Online” rreth situatës politike të Kosovës, duke thënë se, takimi i ambasadorëve të QUINT-it ka shërbyer si një shprehje e pakënaqësisë për dështimin e vendit në zgjidhjen e çështjeve të tij të brendshme.

‘’Në vend se preokupim i Kosovës të jetë anëtarësimi i Kosovës në KE, vendet e QUINT kanë ardhur që të shprehin pakënaqësinë e tyre në dështimin e Kosovës që t’i zgjedhë çështjet e veta’’, tha Arifi.

Arifi ka theksuar se është e pabesueshme që një parti me 48 deputetë nuk është në gjendje të krijojë shumicën parlamentare dhe të formojë një qeveri të qëndrueshme.

‘’Për çdo njeri normal është e pabesueshme se si një parti me 48 deputet nuk është në gjendje që të krijoj shumicë parlamentare’’, deklaroi Arifi.

 

Sadiku: Takimi i QUINT-it me Kurtin nuk ndikon në zhbllokimin e Kuvendit

Arbnor Sadiku, njohës i çështjeve politike, ka deklaruar për “Front Online” se takimi mes Kurtit dhe QUINT nuk do të ketë ndikim konkret.

Sipas tij, takimi me ambasadorët e QUINT-it ishte një mundësi për të arsyetuar dështimin e seancave të Kuvendit.

‘’Ky takim po shihet se nuk ka pasur ndonjë far efekti, më shumë është takim kurtuazi për arsyetimin e dështimit të seancave përndryshe nuk do të ndikojë ky takim në zhbllokim të kuvendit’’, tha Sadiku për FrontOnline.

Komento: