Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, për FrontOnline ka folur për takimin e thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani për datën 15 maj, ku pritet të mblidhen të gjithë liderët politikë për të diskutuar për hapat e mëtejshëm drejt formimit të institucioneve të reja.
Ai shprehu pritshmërinë që ky takim të ndihmojë në tejkalimin e ngërçit aktual politik dhe kërkoi nga opozita të tregojë përgjegjësi.
“Pres që të dalim nga ky ngërc politik. Partitë opozitare duhet me reflektu dhe t’i lën inatet politike, sepse shteti ka nevojë për institucione,” deklaroi Thaçi, duke theksuar se vendi nuk mund të mbetet peng i interesave të ngushta politike.
Sipas tij, disa nga partitë opozitare nuk po veprojnë në interes të shtetit, por për qëllime të tjera.
“Partitë opozitare e kanë më prioritet inatet politike sesa shtetin dhe Presidentja duhet të kontribuoj këtu dhe të dalim nga kjo krizë.” potencoi ai.
Thaçi u shpreh qartë kundër idesë së një qeverie gjithëpërfshirëse, duke e lidhur atë me synime që, sipas tij, dëmtojnë interesin public.
“Ata që po kërkojnë Qeveri gjithëpërfshirëse e kanë qëllim formimin e asociacionit dhe qëllimi i dytë, shitja e këtyre pak ndërmarrjeve publike që kanë mbetë. Dhe ne jemi kundër qeverisë gjithëpërfshirëse.” shtoi tutje.
Deputeti i VV-së përjashtoi mundësinë që ai personalisht të mbështesë një qeveri të tillë.
“Nuk mund të kemi qeveri gjithëpërfshirëse si në kohën e UNMIK-ut. Unë si deputet nuk e jap votën për një qeveri gjithëpërfshirëse.” përfundoi deputeti Thaçi.