Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Gazmend Muhaxheri, për FrontOnline ka komentuar takimin konsultativ të thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani më 15 maj, duke e cilësuar atë si një hap pozitiv drejt zgjidhjes së situatës politike pas zgjedhjeve.
Ai theksoi se LDK tashmë ka dhënë propozimin e saj për një qeveri gjithëpërfshirëse dhe pret që edhe palët e tjera të kontribuojnë me ide konkrete.
“Ne qeverinë gjithëpërfshirëse ja kemi propozuar atij që na ka thirrë me bërë Qeverinë, pra VV-së,” deklaroi Muhaxheri për FrontOnline, duke nënkuptuar se nisma për ndërtimin e institucioneve të reja i takon Lëvizjes Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve.
Sipas tij, takimi i ftuar nga Presidentja mund të shërbejë si një platformë ku mund të shqyrtohen edhe alternativa të tjera.
“Ky është propozimi ynë, nëse kanë ide më të mirë le të propozojnë. Le ta shohim edhe tek Presidentja a ka ndonjë ide dhe të tjerët çka propozojnë.” shtoi ai.
Muhaxheri u shpreh optimist se ky takim mund të jetë hap drejt zgjidhjes.
“Besoj se hiqet mjegulla për krejt këtë punë. Është një hap drejt zgjidhjes.” përfundoi ai