Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” ka bërë një thirrje publike për qytetarët që të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi ndaj rrjetit të kanalizimit.
Në një rast të fundit të evidentuar në rrugën “Musa Zajmi” në Gjakovë, është hasur keqpërdorim i kanalizimit përmes hedhjes së mbeturinave në puseta, veprim ky që sjell pasoja serioze si bllokime, përmbytje dhe dëmtim të rrjetit.
“Kanalizimi është pasuri e përbashkët dhe mirëmbajtja e tij kërkon bashkëpunimin e të gjithëve. Nuk është vetëm përgjegjësi e ujësjellësit”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Kompania apelon për ndërgjegjësim qytetar dhe thekson se sjellje të tilla reflektojnë mungesë të përgjegjësisë ndaj komunitetit dhe mjedisit.