GLPS: Kriza institucionale i kushtoi vendit me anëtarësim në Këshillin e Evropës

13:25 | 14 Maj 2025
glps:-kriza-institucionale-i-kushtoi-vendit-me-anetaresim-ne-keshillin-e-evropes

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka bërë një reagim publik për krizën institucionale në vend dhe ndikimin e saj për anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare.

Në reagim përmendet Këshilli i Evropës. Sipas GPLP-së, së më 13 e 14 maj, Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës u mblodhën në Luksemburg në takimin e tyre vjetor dhe “fatkeqësisht, në këtë takim nuk u diskutua kërkesa për anëtarësim e Kosovës e cila ka mbetur peng që nga viti i kaluar”.

GLPS vlerëson se kjo situatë vjen në mes tjerash, si rezultat “i paaftësisë së forcave politike parlamentare për kompromis për formimin e një legjislature dhe qeverie stabile pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të këtij viti”.

“Javët e kaluara do të duhej të ishin të mbushura me lobim intensiv dhe strategjik nga të gjithë akterët politikë për një votim të suksesshëm. Fatkeqësisht, në fakt ato u mbushën me debate shterpë mbi emrat dhe procedurat e mundshme për konstituim të Kuvendit. Fakti që nuk ka kuvend funksional edhe pas 15 tentimeve për zgjedhjen e një kryetari është pasqyra më e keqe e mundshme për vendin tonë. Një situatë e tillë po i kushton rënd Kosovës në aspiratat e saj integruese, si në aspektin e humbjes së mundësive të rëndësishme sikurse antarësimi në KiE, e poashtu edhe ne përfitimin nga Plani i Rritjes së BE-së, për të cilin GLPS reagoi publikisht para disa ditësh”, thuhet në reagim.

GLPS rikujton se me mos trajtimin e aplikimit tani, votimi i radhës shtyhet për në maj të vitit të ardhshëm.

“Duke marrë parasysh kontekstin e luftës në përfundim e sipër në Ukrainë, nuk është larg mendsh që deri në maj të vitit të ardhshëm Rusia të riinstalohet si anëtar i KiE, gjë që praktikisht do ta pamundësonte anëtarësimin e vendit tonë në këtë organizatë”, thuhet në reagimin e GLPS-së.

GLPS bënë thirrje për përgjegjësi politike nga të gjithë forcat politike parlamentare dhe themelimin sa më të shpejtë të institucioneve të qëndrueshme, forta dhe stabile “në mënyrë të ruhet interesi afatgjatë politik, ekonomik dhe financiar i vendit”.

Komento: