Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka uruar kreun e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, për fitoren në zgjedhjet e së dielës.
Krasniqi tha se Shqipëria po vazhdon rrugën e stabilitetit dhe zhvillimit drejt Bashkimit Europian dhe uroi që mandati i ri i Ramës t’i shërbejë këtij qëllimi.
“Uroj Kryeministrin dhe kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, për fitoren në zgjedhjet në Shqipëri. Shqipëria po vazhdon rrugën e stabilitetit dhe zhvillimit, dhe uroj që mandati i ri të shërbejë për ta afruar edhe më shumë vendin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.
Krasniqi tha se Samiti i Komunitetit Politik Europian, që do të mbahet më 16 maj në Tiranë me pjesëmarrjen e 55 liderëve europianë, është “dëshmi e punës dhe vizionit të arritshëm për “Shqipëria 2030””.
“Suksese në këtë rrugëtim të rëndësishëm për gjithë qytetarët shqiptarë!”, ka shkruar Krasniqi.
PS e Ramës në këto zgjedhje fitoi 52% apo 83 mandate.